Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Beograd, më 3 tetor, ai i nderoi viktimat shqiptare të luftës së viteve 1990.
“Unë do të ngrihem për çdo serb, për çdo shqiptar dhe për të gjithë të tjerët që vdiqën në çdo konflikt lufte, me shpresën se nuk do të ketë kurrë një luftë tjetër,” tha Vuçiq në përgjigje të pyetjes së gazetarit të Radios Evropa e Lirë, pas takimit me Komisionarin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në Beograd.
Ai tha se ishte ngritur në këmbë kur njëri nga pjesëmarrësit e takimit me përfaqësues të organizatave joqeveritare kërkoi nga të gjithë të pranishmit që të ngrihen dhe të nderojnë shqiptarët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“Gjithmonë do të ngrihem. Mendoj se mirësjellja elementare ia dikton këtë çdo njeriu. Fakti që disa njerëz nuk kanë moral dhe dalin me gjëra për të cilat është rënë dakord të mos dalin në publik, kjo flet për moralin e tyre ”, shtoi Vuçiq.
Por, Presidenti i Serbisë nuk u përgjigj në pyetjen e Radios Evropa e Lirë nëse ai do të nderonte shqiptarët e vrarë të Kosovës eshtrat e të cilëve janë gjetur në një varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit.
Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në Beograd kërkoi që Vuçiqi që t’i nderojë mbi 700 viktima shqiptare që janë gjetur në varrezën massive në Batajnicë.
Ivana Zhaniq, nga FDH, i tha Radios Evropa e Lirë se kush dëshiron t’i nderojë viktimat nuk duhet ta bëjë këtë në një takim të mbyllur dhe në një rreth të ngushtë, siç ishte takimi me përfaqësues të shpqërisë civile, në Beograd.
“Sjellje e përgjegjshme e dikujt që është në krye të një vendi që pretendon të jetë i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe është rrugës për në Bashkimin Evropian, është që të shkojë te vendi i varrezës masive. Aty duhet të vendosë lule dhe t’i nderojë viktimat me një minutë heshtje, ku do të jenë të pranishëm zyrtarë të tjerë të qeverisë, media dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Çdo shprehje e dhimbjes pas dyerve të mbyllura, për mua është një akt shtesë i vetë-promovimit dhe jo i sinqeritetit“, tha Zhaniq.
Në vitin 2001, në një varrezë masive në Batajnicë, ishin gjetue dhe zhvarrosur eshtrat e 744 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga forcat serbe. Trupat e tyre ishin transportuar nga Kosova dhe ishin groposur në poligonin e njësisë Speciale Antiterroriste të Policisë së Serbisë, në Batajnicë, më 1999, me qëllim që të fshiheshin gjurmët e krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe në Kosovë.