Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç i ka dërguar një letër sot homologut të tij shqiptar, Edi Rama ku e përgëzon për suksesin e Shqipërisë në marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Agjencia Telegrafike Shqiptare shkruan se duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në Palace of Serbia, Vuçiç deklaroi se i kishte dërguar një letër përgëzimi kryeministrit shqiptar, Edi Rama për suksesin e vendit të tij për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, letër të cilën, sipas tij, Rama e kishte pritur me kënaqësi.
Vuçiç shprehu besimin se do të takohej këtë vjeshtë me kryeministrin shqiptar.
Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd është shtyrë gjatë muajve të fundit për shkak të fushatës zgjedhore në këtë vend.
Vetë Rama është shprehur se nuk ka një datë për këtë vizitë, që sipas tij vjen pas një ftese të bërë nga Beogradi. Shtyrja sipas Ramës ka ardhur për shkak të agjendës zgjedhore në vendin fqinj.
Kjo do të jetë vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd që prej 1947.