PAL LEKAJ
Mendësia e Qeverisë së Serbisë nuk ka ndryshuar përballë Kosovës dhe me sjelljen e tyre treguan se para vetes vazhdojnë të kenë një politik të errët, të kenë etje për të pushtuar, etje për të nxitur urrejtje.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, së bashku me gjysmën e kabinetit të tij e me ministra serbë të Qeverisë së Isa Mustafës, zbarkuan në Kosovë sikur të ishin në mes të Serbisë.
Vuçiq erdhi në Kosovë si në bahçe të babës, pa takuar askënd nga zyrtarët e saj, përveç ministrave serbë, atyre që ai i prodhoi vetë e të cilët arriti me mjeshtri t’i fusë në Qeverinë e Kosovës, që të njëjtit sot t’i përdorë për politikat e dëmshme serbe kundër shtetit të pavarur të Kosovës.
Krahë për krahë me zëvendësin e Mustafës, Aleksandër Jabllanoviqin, atë që familjarët e viktimave të luftës i quajti “egërsira”, Vuçiq në mes të Kosovës, me plot vetëbesim përcolli mesazhe të njëjta si ato të pasardhësve të tij pushtues, të tilla si: ‘Kosova është djepi i Serbisë”, “Kosova është zemra e Serbisë”, “Kurrë nuk do heqim dorë nga trojet tona”…
Në mes të Kosovës ai zbuloi bustin e Kralj Milutinit, e ç’është më e keqja, bartësit e Mustafës, u shprehen të lumtur që “ky bust u vendos për herë të parë në trojet e Serbisë”.
Çdo veprim e deklaratë e djeshme e politikanëve serbë në Kosovë ishin në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe rregullin kushtetues të Kosovës, ishin në kundërshtim me ligjet e vendit dhe pasqyrojnë cenim të sovranitetit të Kosovës.
Vuçiq me komentet e tij, nxiti urrejtje, frymëzoi serbët për të mos pranuar institucionet e Kosovës, dëmtoi imazhin e Kosovës si një shtet unik i të gjithë qytetarëve dhe nuk kontribuoi në përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Qëndrimi i ministrave serbë tregoi se ata janë “kalë Troje” në Qeverinë e Kosovës dhe janë jashtë kontrollit të kësaj Qeverie dhe kryeministrit Mustafa.
Ata sillen dhe flasin si të pavarur nga Mustafa dhe Qeveria që i përkasin, duke përfaqësuar në fakt atë për të cilën u krijua Lista “Srpska”, e cila është e kontrolluar dhe e dirigjuar nga Beogradi.
Qeveria e Republikës së Kosovës si çdoherë edhe kësaj radhe është duke heshtur ndaj deklarimeve luftënxitëse të Qeverisë së Serbisë e në veçanti ndaj deklaratave fyese të ministrave të Mustafës.
Qeveria e Kosovës më këtë heshtje po e humb legjitimitetin e një shteti të pavarur e Sovran.















