Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar sot se në sulmet kundër dyqaneve të shqiptarëve dhe goranëve nuk ka dorë ndonjë organizatë serioze dhe se sulmuesit janë të miturit dhe të rinj.
“Disa ishin tw alkoolizuar, disa jo”, tha Vuçiç në një konferencë për gazetarët në Beograd, duke shtuar se “vetëm për një furrë nuk janë zbuluar sulmuesit”.
Ai ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të zgjidhet edhe ky rast.
Vuçiç ka theksuar se pronarët e furrave janë qytetarë të ndershëm dhe të përgjgjshëm të Serbisë, që paguajnë tatime.
Më tutje, Vuçiç tha se sulmet kundër dyqaneve të shqiptarëve dhe goranëve shkaktojnë urrejtje ndaj serbëve në Kosovë, ku janë pakicë, dhe për këtë arsye ishte i domosdoshëm një aksion i shpejtë dhe i ashpër i shtetit, i cili i ka gjetur dhe arrestuar sulmuesit.
“Të gjithë janë në paraburgim dhe të gjithë do të përgjigjen”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se “kjo është përgjigja më e mirë e shteti ndaj atyre që dëshirojnë të përhapin urrejtjen dhe dhunën”.















