Më 11 prill Saimir Tahiri zgjodhi t’i përgjigjej publikisht kritikave të Adriatik Llallës. Prokurori i Përgjithshëm kishte deklaruar në Zërin e Amerikës se qytetarët nuk kanë besim te policia dhe për këtë arsye i drejtohen prokurorisë për denoncime. Tahiri, në të parën dalje publike pas kësaj deklarate, nuk ngurroi t’i përgjigjet kryeprokurorit, duke thënë prerë” Njerëzit e kanë rritur besimin te policia… më shumë se para dy vitesh”. Dy zyrtarët kanë patur disa herë përplasje. Për pasojë edhe institucionet që drejtojnë. E fundit ishte ajo për arrestimin e Emiljano Shullazit. Burime nga grupi hetimor thanë për lapsi.al se Shullazi është arrestuar vetëm pas këmbënguljes së Kryeprokurorit, kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prokurorit të Tiranës. Policia ka qenë kundër ndalimit dhe për këtë arsye Llalla thirri me urgjencë në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çakon dhe drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodajn. Megjithë tensionin që ka krijuar mes dy institucioneve prangosja e “të fortit”, emrin e të cilit opozita e lidh me atë të Ministrit të Brendshëm, Tahiri u tregua “paqësor” me Llallën. Ai e shmangu gjuhën e kritikave ndaj punës së prokurorisë dhe tentoi të shuante çdo aludim se mes policisë dhe prokurorisë ka patur divergjenca për çështjen Shullazi. Madje ai u kujdes të përmendnte në mënyrë të veçantë Prokurorin e Përgjithshëm, duke u dhënë ton miqësor deklarave për të.
“Unë nuk di që të ketë një përplasje të Policisë me Prokurorinë dhe as anasjelltas. Policia dhe Prokuroria kanë dhënë prova që dinë të bashkëpunojnë, të bëjnë ç’është e mundur për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që shkelin ligjin. Gjithashtu, do ju ftoja dhe juve të mos i frynit një fabule që nuk ndihmon kurrkënd. Nuk besoj, unë, është interesante as për ju. Por mbi të gjitha nuk është interesante as për publikun, se çfarë ndodh në marrëdhëniet ndërmjet Policisë dhe Prokurorisë, për sa kohë, të jeni të sigurte, bashkëpunimi institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë, bashkëpunimi im me Prokurorin e Përgjithshëm, bashkëpunimi i drejtuesve të Policisë me drejtuesit e Prokurorisë, është mjaftueshmërisht i mirë, për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që shkelin ligjin”, u shpreh ministri Tahiri.
Po në të vërtetë çfarë ndodh në marrëdhëniet mes policisë dhe prokurorisë? Po në marrëdhëniet mes Tahirit e Llallës, çfarë ka ndodhur që të ketë vendosur befas “paqen”? Përse Ministri i Brendshëm e zbuti qëndrimin e tij ndaj Kryeprokurorit? A nuk ishte Tahiri ai që i kërkoi atij më 27 janar, duke iu drejtuar me një gjuhë aspak të butë, që të zbardhte vrasjet politike? Përplasja e tyre ishte evidente. Nga njëra anë Llalla që shprehte shqetësim për dëmtim të hetimeve nga policia dhe nga ana tjëter Tahiri që me nervozizëm i kujtoi 21 janarin dhe zvarritjen e disa çështjeve të rëndësishme.
LLalla: “Prokurorët kanë shqetësimin për lëvizjet e shpeshta të oficerëve të policisë gjyqësore, gjë e cila ul ritmin e hetimeve. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2015 u konstatua një problematikë e spikatur lidhur me ekspertimet në Policinë Shkencore. Burimet e reduktuara në kapacitete njerëzore dhe në mjete teknologjike kanë ndikuar në uljen e ritmit të hetimeve”.
Tahiri: “I nderuar Prokuror i Përgjithshëm ka shumë gjëra që mund të bëjmë më mirë nga trajnimi më i mirë i policisë dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore për të çuar përpara çështjet, nga bashkëpunimi me Prokurorinë, nga delegimi i çështjeve për të mos pasur delegim preferencial nga prokurorët kur disa çështje delegohen edhe disa të tjera jo edhe deri te hetimi, siç e thatë dhe ju i çështjeve të rëndësishme, ngjarje kriminale të cilat kanë ngecur. Ka ngjarje që kanë ndodhur tani afër, ka ngjarje që kanë ndodhur pak më larg por duke filluar nga 21 janari dhe vrasja e katër protestuesve në bulevard, te vrasja e deputetit dhe të shumë ngjarjeve të tjera deri te korrupsioni duhet të ketë veprim aktiv të Prokurorisë dhe Policisë për t’i çuar përpara këto hetime përndryshe qytetarët nuk kanë asnjë motiv që të besojnë se këtu ka ndëshkueshmëri.”
Lapsi.al mësoi se zbutja e qëndrimit të Tahirit ndaj Llallës ka të bëjë pikërisht me çështjen Shullazi. Burimet e besueshme që e referuan këtë nuk dhanë detaje të hollësishme mbi atë se çfarë e detyroi Ministrin e Brendshëm që ta ndyshonte qasjen publike ndaj Kryeprokurorit dhe të fliste ndaj tij me gjuhën e një bashkëpunëtori “mjaftueshmërisht të mirë” për të hetuar ata që shkelin ligjin dhe jo më të një prokurori që fle mbi dosjet e vrasjeve politike, si ato të 21 janarit. Prokuroria ka luajtur një rol kyç në ndjekjen dhe arrestimin e Shullazit. Krimet e Rënda e përgjuan Shullazin dhe bandën e tij. Po ashtu, është kryeprokurori ai që ka ligjëruar përgjimet e SHISH ndaj Shullazit. Nga këto përgjime u mësua se Shullazi u kishte vënë gjoba të paktën 3 biznesmenëve të njohur në Tiranë e Durrës. Nga përgjimet, lapsi.al mësoi se kanë dalë edhe emra politikanësh të njohur.














