Gjykata e Apelit në Ankona të Italisë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj 27-vjeçarit maqedonas Donald Sabanov, për vrasjen e punëdhësit të tij italian, Andrea Ferri.
Ndërsa, për marokenin 20-vjeçar Karim Bari, gjykata ka ulur dënimin nga 24 në 20 vjet burg. Ai u cilësua bashkëpunëtor në krim, pasi ishte në dijeni se Sabanov do vriste italianin për t’i marrë çelësat e karburantit dhe për të vjedhur më pas kasafortën dhe paratë që ndodheshin aty.
51-vjeçari Andrea Ferri, i martuar me dy fëmijë, u vra natën mes 3 dhe 4 qershorit të vitit 2013 në Pescara, me pesë plumba pistolete.
Në armën e krimit, e kalibrit 7.65, u gjetën më vonë gjurmë të ADN-së së Sabanov.
Vëllai i viktimës, Michele Ferri tha se vendimi është i kënaqshëm. “Mjafton që gjykata la në burg përjetë vrasësin e tim vëllai”, citohet ai nga mediat lokale.















