Ekzekutoi tre pjesëtarë të një familje, dënohet me burgim të përjetshëm 49-vjeçari. Vendimi u dha dje nga Gjykata e Lezhës e cila e shpalli fajtor të akuzuarin Kastriot Zhuba për vrasjen e çiftit Shtjefni dhe djalin e tyre.
Ngjarja për të cilën u shpall fajtor Zhuba ka ndodhur më 25 shtator të vitit 2012 në fshatin Blinisht të Lezhës, kur ai vrau me armë zjarri Rrok Shtjefnin, 50 vjeç, Miranda Shtjefnin, 50 vjeçe dhe djalin tyre Fatjon Shtjefni, 24 vjeç. Vrasja e trefishtë u krye pas një krimi të mbetur në tentativë nga Kastriot Zhuba.
Ky i fundit ishte kthyer nga Italia për të marrë hak ndaj një 30-vjeçari i cili i kishte rrahur babain. Pasi i zuri pritë 30-vjeçarit dhe nuk mundi dot ta vriste, Zhuba u ul në një lokal në fshat ku konsumoi një sasi alkooli. Pasi doli nga lokali 49-vjeçari u drejtua për tek makina e tij, por në momentin e nisjes përplasi me makinë 24-vjeçarin Fatjon Shtjefni. I riu i kërkoi shpjegime për incidentin, por u përball me kërcënimet e Zhubës, i cili e ka goditur sërish me pjesën e pasme të makinës pas largimit drejt banesës së tij.
Pas debatit mes tyre, Shtjefni u kërkoi ndihmë prindërve dhe së bashku shkuan në banesën e Zhubës. Në momentin që ndodheshin në hyrje të oborrit, 24-vjeçari i ka kërkuar 49-vjeçarit të dalë jashtë, ndërsa babai i tij Rrok Shtjefni mbante me vete një pistoletë. Zhuba doli nga banesa dhe qëlloi me automatik në drejtim të Fatjonit duke e lënë të vdekur në vend.
Pasi ka parë djalin t’i vritej para syve Rrok Shtjefni ka tentuar të kundërpërgjigjet me armën e tij, por breshëritë e automatikut janë zbrazur në drejtim të tij dhe bashkëshortes dhe për pasojë të dy mbetën të vdekur.
















