Një vit pas vrasjes së Ilia Karelit, të burgosurit shqiptarë në Greqi, gjashtë gardianët e burgut të Nigritas që mbaheshin në burg për torturimin, janë liruar me kusht. Vendimi është marrë nga Gjykata e Apelit në Selanik dhe gjashtë gardianët e burgosur në prillin e vitit të kaluar janë lënë të lirë me kusht që të mos largohen nga Greqia, të paraqiten periodikisht në stacionin më të afërt policor dhe me një garanci prej 3 mijë eurosh. Gjithsej ishin 15 gardianë të akuzuar. Gjashtë prej tyre u hetuan në gjendje të lirë, ndërsa pjesa tjetër u arrestua. Në dhunën ndaj 42-vjeçarit shqiptar është përfshirë edhe vetë drejtori i burgut të Nigritas. Pamjet tregonin qartë se drejtori ka qenë në dhomën frigorifer, ku janë ushtruar torturat që i shkaktuan vdekjen e Ilia Karelit. Ilia Kareli, që në Shqipëri njihej si Kudret Kume, pasi ka vrarë një roje të burgut, humbi jetën si rezultat i dhunës së shtruar ndaj tij nga rojet e tjerë të këtij burgu dhe më pas prej rojeve të burgut të Nigritas, ku u transferua menjëherë pas vrasjes. Fillimisht, rojat mohuan të kishin ushtruar dhunë ndaj Karelit, por më pas u shfaqën video komprometuese, si dhe u sekuestruan pamjet e sigurisë së burgut. Për vrasjen e Karelit shkoi në Greqi edhe një grup hetuesish shqiptarë, të cilët morën në dorëzim edhe trupin e pajetë të emigrantit, ndërkohë që familja e tij kërkoi dënim maksimal të gardianëve, pavarësisht se në krye të një viti, ata janë lënë sërish të lirë.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















