Petrit Kuçana
A do të përkrahni të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë nëpër vendet ku jetojnë?
Kjo ishte pyetja për ish-liderin e opozitës (tashmë kryeministër) Edi Rama në një nga hollet e London School of Economics këtu në Londër, diku shtatë vite më parë. Përgjigja e tij ishte një “Jo” e prerë, e ndjekur nga një fjali-justifikim se nëpër ambasada ishin njerëzit e Berishës dhe nuk mund të garantohej vota.
Është kjo JO që të vjen ndërmend ndërsa në Shqipëri po përlind rikthimi i debatit për sistemin zgjedhor, që mesa duket, po rrëshqet drejt një ambalazhimi kozmetik, derisa fjala diasporë vazhdon të jetë në mungesë. Edhe optimisti më i madh stepet përpara ndonjë konkludimi të qartë, nëse diçka do të mund të ndryshojë në qasjen ndaj diasporës tashmë të shtuar shumëfish.
E diaspora mbetet spektatore e paepur e gjithçkaje që ndodh aty, e tradhtuar, e nëpërkëmbur, e përbuzur.
Shpërfillshëm raportohet për takime që përbëjnë lajmin e ditës, e thuajse askush nuk bzan për të ikurit, të larguarit, që presin se mbase kësaj here do të kenë të drejtën e votës në vendet ku jetojnë, së paku si çdo vend tjetër i rajonit, si Kosova, si Maqedonia, si Mali i Zi si thuajse çdo vend i Evropës.
Kushedi sa peticione janë nënshkruar, kushedi sa herë është folur e shkruar për domosdoshmërinë e pasjes së votës për diasporën shqiptare nëpër botë, por gjithçka është rrokullisur në “kompromiset e mëdha” që ndodhin në minutën e fundit mes krerëve të politikës dhe diaspora harrohet, si dhe e drejta e tyre për të zgjedhur.
Duket se Kryeministri i “lau” duart me diasporën me krijimin e një karrigeje ministrore që mbahet nga Majko, ku prodhohen disa njoftime e tek tuk ndonjë fotografi, ku duket se edhe vetë Majko gjendet i zënë në çarkun izolues, e s’mund të bëjë asgjë më tepër sesa të gjejë ndonjë fjalë si dritëhije e kompozuar paksa jashtë linje. Dy samite diaspore janë organizuar nga qeveria dhe u kry. Ca foto, ca fjalime miradie për mërgimtarët, për diasporën dhe e ardhmja tingëllon e boshtë.
Krejt tangent kalojnë çdolloj lajmi për diasporën sidomos ata që kanë të bëjnë me remitancat, pra paratë që sjell diaspora. E duket se gjithçka tjetër nuk e kap as treditëshin e lajmit, as interesin më të vogël. Shumë shumë, ministria pa portofol e Majkos i fut një “share” në një grup njerëzish që presin se çfarë mund të ndodhë, ndonëse duket se shumica janë jo thjesht të zhgënjyer, por çdo gjë duket kaq neveritëse, sidomos kur dëgjohen ato fjalët mallëngjyese për domosdoshmërinë e votës së diasporës.
Ka një fakt të qartë. Diaspora nuk mund të blihet e as kurrsesi të manipulohet dhe kjo duket se nuk u shkon për shtat atyre që ndërtojnë strategjitë elektorale, atyre që nuk mund të shqisin të ndenjurat nga karriget e pushtetit, e krejt shpërfillshëm jo vetëm numërojnë por fatkeqësisht rreken “të justifikojnë” të pajustifikueshmen. As që u bën përshtypje “sa çon miza në krahë” paralajmërimet e frikshme të institucioneve ndërkombëtare se Shqipëria do të zbrazet, se do të mbetet në ½ milion banorë.
Çfarëdolloj justifikimi për këtë do të kthehej në një bumerang nëse të ikurit, të larguarit, të pashpresët do të kishin të drejtën e votës. Ngjirazi tek-tuk rreken të shtojnë ndonjë fjalë për të ashtuquajturën reformë zgjedhore që retushohet dhe fillon dueli për t’ia hedhur fajin të tjerëve se ne ishim po ata jo, pala tjetër është fajtore.
Nuk dihet cili mund të ishte justifikimi i qeveritarëve kur sot mungon regjistri i diasporës, pra nuk dihet se sa është numri i shqiptarëve që jetojnë nëpër botë. Ministri Majko publikisht deklaron 50%, por shkresa nuk ka. Sikur para shtatë vitesh (së paku) të fillonte regjistrimi i diasporës a do të kishte mbaruar tani?
A do të kishte marrë fund çdo lloj alibie për fajin e të tjerëve? A do të ishte kryer një detyrim që shteti ka ndaj bashkatdhetarëve të vet, një detyrim kushtetues në fund të fundit?
E kushedi sa përgjigje do të merrte pikëpyetja se “Pse kjo frikë nga diaspora”? E krejt tulatshëm rrjedh çdo lajm tjetër përveç të drejtës së diasporës për të votuar, me një prej sistemeve që mund të zgjedhin, qoftë edhe si Kosova, apo cilido vend i rajonit. E kushedi çfarë hipokrizie do të gatuhet deri atëherë, kur të deklamohet se u ra dakord për sistemin zgjedhor, u ra dakord për datën e zgjedhjeve e ku ndoshta askush nuk do të pyetet krejt thjeshtësisht, po diaspora?
Deri atëherë do të serviren lajme të pafundme, ku do të mungojë diaspora, pra gjysma, që për qeverinë zhduken sapo lënë Rinasin… ah po, Rinasin aeroportin më të shtrenjtë në rajon dhe më gjerë…






















