Në shkresën e drejtuar “deri te Kryetari i Kuvendit”, partia opozitare ka përcaktuar edhe emrat e koordinatorëve dhe zëvendës-koordinatorëve. Deputeti i kësaj partie Ilija Dimovski në një brifing për gazetarët njoftoi se këtë vendim ish partia në pushtet e ka marrë për shkak të mundësisë për të shfrytëzuar sa më shumë fjalime procedurale dhe replika gjatë seancave në Kuvend dhe gjatë punës së Komisioneve parlamentare. Sipas Dimovskit veprimi i tillë nënkupton ndalesë ndaj opozitës për vendime në kundërshtim me interesat shtetërore por njëkohësisht nënkupton edhe përgjegjësi më të madhe. Megjithatë shumica parlamentare veprimin e VMRO-DPMNE-së njëzëri e kategorizon si mekanizëm për bllokimin e Kuvendit dhe reformave. Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tuntev kërkoi nga VMRO-DPMNE-ja të shqyrtoj vendimin e marrë.
“Kjo nënkupton bllokim të reformave dhe pamundëson që qytetarët t’i pranojnë shërbimet dhe të mirat shtetërore. Me këtë bllokadë VMRO-DPMNE-ja vazhdon të qaset me dyfytyrësi, egoiste, papërgjegjshëm dhe në dëm të gjithë qytetarëve. Shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM do të bëj gjithçka që të mos pengohen reformat për të cilat votuan shumica e qytetarëve dhe që sjellin të mira për të gjithë”, deklaroi Tomisllav Tuntev, Shef i grupit parlamentar të LSDM-së.
Edhe BDI vlerëson se VMRO-DPMNE-ja ka zgjedhur rrugën e gabuar. Sipas deputetit Rexhail Ismaili ky veprim i opozitës ka për qëllim aplikimin e praktikave nga seanca e tejzgjatur konstituive.
“Edhe pse është e drejtë e tyre legjitime, ne mendojmë se nuk kanë zgjedhur rrugën më të mirë të veprimit si grup parlamentar për faktin se si duket të inspiruar nga pengesa në punën e seancës konstituive të Parlamentit, duke se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë në këtë formë të veprojnë”, tha Rexhail Ismaili, Deputet i BDI-së.
Lëvizja Besa si parti opozitare vlerëson se vendimi i VMRO-DPMNE-së është vendim i thirrur në rregulloren e Kuvendit dhe se përgjegjësia për bllokimin e punës së Kuvendit do t’u takojë atyre. VMRO-DPMNE për formimin e 10 grupeve parlamentare është thirrur në nenin 33 të rregullores së Kuvendit. 10 grupe parlamentare do të kenë 10 koordinator dhe 20 zëvendës koordinator. Për herë të parë në historinë e ligjvënësit të Maqedonisë, një parit politike formon kaq shumë grupe parlamentare që i mundësojnë tejzgjatjen e proceseve plenare gjatë punës në Kuvend. Nga ana tjetër shumica nuk përjashton ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Ndryshimet e fundit në Rregulloren e punës së Kuvendit janë miratuar në vitin 2008 kur VMRO-DPMNE-ja ishte në ekzekutiv.






















