Shtatë persona nga Shqipëria, Ukraina, Maqedonia dhe Italia, janë arrestuar nga policia italiane, duke u goditur kështu një bandë kriminelësh.
Këta persona ishin kthyer në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në zonën e Riminit, duke shënuar grabitje të shumta dhe plaçkitje në muajt janar dhe shkurt të këtij viti.
Në kuadër të operacionit të koduar “T-Max”, policia vendase arrestoi shtetasit nga Shqipëria Fatjon Vata, 20 vjeç dhe Bardhok Sokoli, 21 vjeç, kushërinj.
Gjithashtu, në pranga kanë rënë Valentino dhe Devad Ahmetoviç, 21 e 20 vjeç, rom. “22-vjeçari maqedonas, Refik Karpuzi, Maksym Veres, 19 vjeç nga Ukraina dhe kuzhinieri nga Rimini, Gino Alberto Melis”, janë të arrestuarit e tjerë.
Sipas medieve italiane, gjithçka nisi më 20 janar, kur pjesëtarët e bandës së krijuar nga dy shqiptarët në Rimini, kishin nisur grabitjet e armatosura kundër dyqaneve që shisnin produkte për cigare.
Në të njëjtën kohë, kjo bandë kishte nisur grabitjet edhe kundër stacioneve të gazit, motoristëve që shpërndanin pica në shtëpi dhe dyqaneve të ndryshme.
Nga hetimet paraprake rezulton se në krye të bandës është shqiptari, Fatjon Vata.















