Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ndoqi sot një nga aksionet e OSHEE-së, të mbështetura edhe nga policia, për prerjen e energjisë elektrike ndaj debitorëve, apo atyre që e vjedhin atë. Inspektimi u krye në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë.
Ministri u tha qytetarëve se ka marrë fund koha e të jetuarit me dy standarde dhe të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.“ Ti paguan energji elektrike edhe për ata që nuk e paguajnë. Nëse do të paguanin të gjithë, do të ishte çmimi më i lirë.
Në këtë mënyrë edhe pabarazi nuk ka, edhe t’i të jesh informal dhe zotëria në krah të jetë formal nuk ka. Edhe të jetojmë me 2 standarde, që ti je rehat se nuk paguan e lë energjinë gjithë kohën takuar atje, ndërsa ky kursen edhe nga pensioni, edhe kjo nuk është e pranueshme”,-tha ministri i Brendshëm.
Një person me aftësi të kufizuara i tha Tahirit se e mbështet aksionin e ndërprerjes së energjisë elektrike. “ Është e vonuar, tani ndihem i barabartë. Sepse ndihesha keq që unë sakat njeri i paguaja, dhe ai me vilë 3 katëshe nuk paguante”,-tha qytetari.
Burimet zyrtare të policisë thanë se në 27 ditët e operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, janë ushtruar rreth 30 mijë kontrolle dhe janë prerë mbi 16 mijë lidhje të paligjshme, vjedhje apo ndaj debitorëve. 423 persona janë arrestuar, ndër ta më shumë se 300 biznesmenë.















