Autoritetet në mbarë botën kanë nisur të veprojnë pas publikimit të mijëra dokumenteve sekrete, që zbulojnë se si funksionojnë strehat fiskale.
Një nga njerëzit më të shënjestruar në “Panama Papers” është presidenti rus, Vladimir Putin.
Miliarda dollarë pastrohen nga njerëz pranë tij.
Mes tyre edhe një violonçelist, Sergei Roldugin.
Një zëdhënës i Kremlinit tha se qëllimi i publikimit të këtyre dokumenteve është destabilizimi i Rusisë përpara zgjedhjeve parlamentare.
Ai tha se hetimi është një spekulim, duke sugjeruar se pas hetimit gazetaresk qëndron Departamenti i Shtetit dhe CIA.
Por kush është Roldugin?
Ai është mik i ngushtë i presidentit rus që prej vitit 1977, e quan atë “vëllai im”.
Ai është një violonçelist i suksesshëm.
Si sipërmarrës ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm me bizneset jashtë vendit.
Kështu, në vitin 2010 ai nënshkroi njëkohësisht dy kontrata me firmën ligjore panameze Mossack Fonseca.
Në të parën bëhet fjalë për një tregti me aksionet e kompanisë shtetërore të naftës, Rosneft.
Një degë e bankës shtetërore, VTB, i jep firmës së Rodulgin plot 650 milionë euro si linjë krediti, një shumë e pazakontë për një violonçelist.
Sa për të dhënë një ilustrim, dokumentet tregojnë se firma e tij, Sandalwood Continental bleu një aset për vetëm 1 dollarë dhe tre muaj më vonë e shiti për 133 milionë dollarë.
Kur muzikanti u pyet nga gazetarët për çështjet e biznesit, ai tha: “Njerëz, sinqerisht, nuk mund të komentoj tani. Më duhet të shoh njëherë se çfarë më lejohet të them dhe çfarë jo. E kuptoj që bëhet fjalë për gjëra të rëndësishme, bën biznes apo nuk bën biznes ti? Nga vijnë paratë? Të kujt janë paratë?”




















