Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për lajmin e vdekjes së një shqiptari në Hungari, rrugës për të ikur për në vende perëndimore, duke thënë se përgjegjës për këtë vdekje ështëqeveria e Mustafës dhe e Hashim Thaçit.
Duke shprehur ngushëllime për humbjen e jetës së qytetarit, nga VV-ja thonë se Qeveria është përgjegjëse për vdekjen, pasi me politikat e saj detyron qytetarët të ikin jashtë për një jetë më të mirë.
“Edhe gjatë okupimit të Serbisë, madje edhe gjatë luftës, ne si popull kemi pasur më shumë informata, më shumë interesim dhe më shumë përkujdesje për refugjatët e për azilkërkuesit nga Kosova, krahasuar me sot. Sot me sa duket,qeveria i ka vënë vetes vetëm detyrën e rojës kufitare, që përpiqet të ndalojë njerëzit të dalin prej këtij kampi të varfërisë, që është bërë Kosova”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje thotë se humbja e jetës së një qytetari është çmimi që paguhet për politikat e gabuara që ndjek qeveria që nuk bën shtet, por përfiton nga pushteti.
Partia e Kurtit i bën thirrje Mustafës dhe Thaçit që të ikin në Hungari dhe të shohin qytetarët atje sesi vuajnë nëpër kampe.
















