Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që Qeveria e Shqipërisë të reagojnë kundër deportimit nga Kosova të anëtarit të Kryesisë së kësaj partie, Boiken Abazit.
Për këtë qëllim zyrtarë të Vetëvendosjes kanë kontaktuar me ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, nëpërmjet të cilës kanë kërkuar ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama dhe të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Ambasadori shqiptar Qemal Minxhozi ka bërë të ditur se ai i ka kontaktuar autoritetet përkatëse për të sqaruar arsyet e deportimit dhe informacionet lidhur me këtë deportim ua ka përcjellë autoriteteve kompetente në Tiranë.
Shtetasi shqiptar Boiken Abazi, anëtar i kryesisë e sekretar për marrëdhënie me jashtë, është deportuar të mërkurën nga Policia e Kosovës për në Shqipëri, pas vlerësimit se ai përbën “kërcënim për rendin e sigurinë” në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë përgjegjës për deportimin kryeministrin Isa Mustafa, ministrin e Brendshëm Skënder Hysenin dhe drejtorin e drejtorisë për migrim e të huaj në Ministrinë e Punëve të Brednshme, Valon Krasniqin.















