Përmes një letre zyrtare, Vetëvendosja ka propozuar Albin Kurtin si të mandatuarin për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Presioni i Hashim Thaçi që të shtunën vendosi të firmoste me argumentin se institucionet e vendit duhet të formohen sa më shpejt, duket pati efekt.
Mediat vendase thonë se letra i është dorëzuar tashmë kreut të shtetit. Thaçi e bëri të qartë se kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, duhet merrte mandatin për formimin e qeverisë, ose në të kundërt, ta refuzonte atë.
Këtë deklaratë ai e përforcoi edhe pas një takimi me ish shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin William Walker. Presidenti u shpreh se ka kaluar një kohë e gjatë që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe se qytetarët dhe partnerët ndërkombëtar, siç tha ai, po presin formimin sa më të shpejtë të qeverisë.
Ekspertët megjithatë pretendojnë se nënshkrimi i Thaçit nuk nënkuptonte vërtet fillimin e rrjedhjes se afateve ligjore të mandatit përderisa një gjë e tillë nuk ishte vendosur në këshillim me fituesin e zgjedhjeve.
Njohësit e çështjeve juridike theksuan se presidenti nuk ka mbështetje kushtetuese as ligjore për të caktuar afate mbi dorëzimin e mandatit pa e pranuar propozimin nga lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, thirrjeve për formim më të shpejtë të qeverisë iu bashkua edhe ambasadori Walker, I cili sqaroi se kishte folur me disa përfaqësues të partive politike, ndërsa këmbënguli se Kosova ka nevoje për një qeveri të re dhe se për këtë, kanë humbur 100 ditë.



















