Kreu i Kuvendit tha se miratimi i këtij ligji do t’i hapë perspektiva ta reja këtij gjiganti metalurgjik, ndërsa menaxhmentit të saj i mbetet për detyrë të rris kapacitetet e prodhimit, të plasimit të tij në treg dhe rritjes së vlerës së mineraleve.
“Trepça ka perspektivë dhe do të ecë përpara. Ligji i ri do të jetë në favor të punëtorëve, pa dallim etnie dhe religjioni, si dhe në favor të shtetit tonë në përgjithësi”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryetari i Sindikatës së minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për vizitën dhe angazhimin e tij për gjetjen e një zgjidhjeje për Trepçën. Informacionin për miratimin e shpejtë të ligjit, ndërkaq, e konsideroi lajm të mirë jo vetëm për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, por për gjithë Kosovën.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u shoqërua nga deputeti Raif Qela, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe drejtori i përgjithshëm i Trepçës, Ahmet Tmava, të cilët vlerësuan gjithashtu, se miratimi i këtij ligji i garanton Trepçës të ardhme të sigurtë dhe i hapë perspektivë zhvillimit të saj të mëtutjeshëm.






























