Duke iu bashkangjitur aktivitetit të nxënësve, të cilët temë të ditës së sotme kishin pikërisht Kuvendin, kryeparlamentari Veseli e konsideroi këtë projekt një mundësi të shkëlqyer për fëmijët që të njihen me mënyrën e funksionimit të demokracisë dhe të punës parlamentare.
Duke u përgjigjur në interesimet e nxënësve, kryeparlamentari Veseli foli për aspekte të punës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për rolin e ligjvënës, përfaqësues dhe mbikëqyrës të këtij institucioni, për përgjegjësitë e kryetarit të Kuvendit e të deputetëve, për raportet midis ligjvënësve etj.
Veseli theksoi edhe njëherë gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për të rritur edhe më tej transparencën para publikut dhe për t’i ofruar qasje sa më të madhe qytetarëve në punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.
Projekti “Punëtoritë për demokraci/Demos-ti”, është projektuar si program për edukimin qytetar të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme, nëpërmjet të cilit ata fitojnë njohuri për demokracinë në Kuvend, funksionimin e Kuvendit, miratimin dhe zbatimin e ligjeve, si dhe rolin e mediave në një shoqëri demokratike.
Projekti zbatohet në formë të punëtorive, në të cilat fëmijët, me ndihmën e trajnerëve, nëpërmjet një përmbajtjeje interaktive dhe në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, mësojnë se si funksion demokracia.




























