Kreu i Kuvendit tha se këto vite ishin të rënda për popujt e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, të cilët u përfshin në kampin e diktaturave komuniste.
“Një popull, që përgjatë gjithë historisë, i kishte dhënë aq shumë lirisë në Evropë, befas u ndje i mbërthyer nga një tirani e re, tirania komuniste. Njerëzit shtypeshin në emër të lirisë, emancipimit dhe barazisë. Populli hungarez ishte ndër të parët që e kuptoi mashtrimin komunist dhe vendosi të ngrihej, të protestonte, të kundërshtonte, të kërkonte rikthimin e lirisë së tij. Të rinj, studentë, punëtorë, fermerë, intelektualë, artistë, mposhtën frikën dhe i thanë jo tiranisë së kuqe.”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryengritja u shtyp fizikisht, shtoi kryetari Veseli, por zëri i saj për liri pushtoi mendjet dhe zemrat e gjithë njerëzve nga të katër anët e botës. Sakrifica e qytetarëve hungarezë, tha në vazhdim Veseli, u bë shembull frymëzues për të gjithë rezistencën antikomuniste në Evropë e më gjerë.
“Pa rënien e komunizmit dhe triumfin e demokracisë në Evropë, nuk do të ishte e mundur as liria e vendit tim, Kosovës. Njësoj si hungarezët edhe qytetarët e Kosovës kanë paguar një çmim të madh për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Por, ne sot, ndihemi krenarë se sakrificat tona, i kanë bërë më të qëndrueshme vlerat evropiane, liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sovranitetin e popujve, paqen dhe bashkëpunimin mes shteteve”, tha kryeparlamentari Veseli. Ai shtoi se shteti i Kosovës ka lindur nga këto vlera dhe do të vazhdojë të jetojë përmes tyre.
Kryetari i Kuvendit falënderoi Republikën e Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme që jep në procesin e integrimeve euro-atlantike të Republikës së Kosovës, duke e konsideruar atë një nga vendet mike në mesin e miqve të shumtë që ka Kosova. Në frymën e këtij bashkëpunimi, kryetari Veseli paralajmëroi se në fillim të nëntorit do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Budapest.
























