Kryeparlamentari Veseli e njoftoi drejtorin e përgjithshëm Danielsson për angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe të Kuvendit në veçanti, për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me agjendën evropiane.
“Në këtë funksion, kryetari Veseli foli edhe për punën që Kuvendi ka bërë dhe po bën aktualisht në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, sidomos në legjislacionin që ka të bëjë me sundimin e rendit e të ligjit, si dhe integrimet evropiane”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Kryetari Veseli gjatë takimit theksoi nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve të saj lëvizjen e lirë në zonën Shengen.
Ndërsa, Christian Danielsson, nënvizoi rolin e rëndësishëm që Kuvendi duhet të luajë në zbatimin e reformave, në procesin e integrimit evropian.
Ai tha se Kosova duhet të plotësojë kriteret e mbetura, miratimi i demarkacionit me Malin e Zi, si dhe forcimi i regjistrit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.






















