Punonjësit e Policisë së Shtetit, gjatë muajve të fundit, po hasin në vështirësi përsa u përket çështjes së pagave.
Në Sindikatën e Punonjësve të Policisë së Shtetit, mësohet se janë dërguar ankesa nga ana e policëve, të cilët janë shprehur se u mbahet një shumë e konsiderueshme parash nga paga e tyre mujore.
Për gazetën “Shekulli”, ky fakt konfirmohet nga kreu i kësaj sindikate, Sadetin Fishta. Ai shprehet se punonjësve të policisë u mbahet padrejtësisht nga paga mujore, një shumë prej afro 9 mijë lekësh të reja. Më tej, ai shprehet se për këtë fakt nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa është vënë në zbatim që prej datës 1 prill 2016.
Ndërkohë që, për çështjen e uniformave Sadetin Fishta shprehet se policët vazhdojnë të mbajnë ato të vjetrat dhe nuk i kanë marrë akoma uniformat e reja, për të cilat është dhënë edhe një vendim.















