Italia është bërë vendi i parë në Europë që ka bërë të detyrueshme certifikatat shëndetësore të COVID-19 për të gjithë personat që janë në marrëdhënie pune, pavarësisht nëse janë në sektorin publik apo privat.
Qeveria italiane miratoi një masë të re të enjten që i bën certifikatat dixhitale të vaksinave të detyrueshme si për të dy sektorët. Zbatimi do të fillojë nga 15 tetori dhe të mbetet në fuqi deri në fund të vitit.
“Ne po e shtrijmë detyrimin e certifikatës jeshile për të gjithë punëmarrësit e punëdhënësit, publikë dhe privatë dhe po e bëjmë këtë për dy arsye thelbësore: t’i bëjmë këto vende më të sigurta dhe ta bëjmë fushatën tonë të vaksinimit edhe më të fortë”, tha ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza para mediave.
Lëvizja synon të nxisë vaksinimin dhe të zvogëlojë shkallën e infeksionit mes një rritjeje të mundshme të rasteve të COVID-19 këtë dimër. Të gjithë punonjësve do t’u kërkohet të provojnë se janë vaksinuar kundër COVID-19, janë shëruar nga infeksioni, ose kanë rezultuar negativë për virusin në tre ditët e fundit.
Vetëm pensionistët dhe të papunët do të përjashtohen nga detyrimi për të pasur një kartë jeshile.
Çdo punonjës që nuk arrin të paraqesë një certifikatë të vlefshme shëndetësore COVID-19 do të pezullohet pa pagesë pas pesë ditësh, por nuk mund të pushohet nga puna. Ata që nuk janë të vaksinuar gjithashtu mund të gjobiten deri në 1,500 €.
Senati italian votoi në masë dërrmuese në favor të masës, me 189 vota pro, 32 kundër dhe vetëm 2 abstenime.
Vendet e tjera europiane kanë bërë të ashtuquajturat “certifikata jeshile” të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor, Italia është e para që shtrin masën për të gjithë punonjësit.




















