Është mbajtur sot në Durrës konferenca rinore e Partisë Socialiste, me temë “Social-Demokracia, si hapësirë e mendimit kritik rinor”. I pranishëm në këtë konferencë ishte ministri i Mirëqenies Sociale Ejon Veliaj, i cili u shpreh se është koha për të bërë një bilanc ideologjik, pas një viti qeverisje.
“Prandaj ne besojmë që tek e majta shteti ka një rol, jo që të zëvendësojë individin, po ka një rol që të jetë aty për të mbështetur një individ në momentin që nuk ia ka dalë dot vetëm nga rregullat e kapitalizmit” , u shpreh Veliaj.
Veliaj e vlerësoi si të rëndësishëm këtë takim në prag të zgjedhjeve vendore, ku kërkohen me shumë djem e vajza të reja ose siç ai i quajti “motor energjie”, të aftë për t’u paraqitur si kandidatura në këshillat bashkiakë.
“Është në interesin e Partisë Socialiste që sa më shumë të rinj të përfshihen sidomos në vendimmarrjet e reja dhe në zgjedhjet për këshillat bashkiakë. Nuk e di nëse do ta bëjmë këtë në një formë kuote ashtu siç kemi bërë lë të themi, promovimin e zonjave e zonjushave në politikë, po cilado qoftë mënyra, thelbi është ky, ne na duhen djem e vajza të rinj, të përgatitur, të aftë për mendime dhe për debate si ky i sotshmi, që të jenë kuotat tona në këshillat bashkiakë, si vendimmarrje por edhe për të filluar një karrierë politike”, shtoi Veliaj.















