Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, deklaroi se Shqipëria nuk është një vend që i persekuton qytetarët dhe u detyron ata të largohen nga vendi. Ai tha se shanset për azil në vendet e Bashkimit Europian janë të barabarta me zero dhe vec azilit ka edhe mundësi të tjera për të mundësuar punësim në vendet e BE-së, përmes kontratave të punësimit. Këtë deklaratë Veliaj e bëri me rastin e pritjes në takim të homologut të tij gjerman Jorg Asmussen. Gjatë fjalës së tij, ministri Veliaj bëri të ditur se javën e ardhshme do të nisin negociatat me Gjermaninë për njohjen e pensioneve mes dy vendeve. Negociata e parë pritet të zhvillohet më 19 janar në Tiranë, datë kur ekipi gjerman do të vijë në Shqipëri për nisjen e negociatave për pensionet. Nga ana e tij, ministri gjerman Asmussen, deklaroi se azili nuk është rruga e duhur për ata shqiptarë që duan të ecin përpara. Sipas tij, duhet ecur në rrugën e punësimit dhe arsimit në Gjermani.
















