Ushtria e Kosovës e cila po mëtohet të krijohet nëpërmjet një ligji të ri, të hartuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pritet t’i ketë gjithsej 8 mijë pjesëtarë, 5 mijë prej të cilëve në komponentën aktive dhe 3 mijë në atë rezervë.
Kështu përcakton projektligji i hartuar për transformim të FSK-së në ushtri, të cilin e ka siguruar të plotë gazeta “Zëri”.
Në këtë projektligj thuhet se FSK-ja si ushtri do ta ketë për detyrë ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe do të furnizohet me armatim aq sa ia kërkon nevoja.
Zyrtarë të Ministrisë së FSK-së kanë thënë për “Zërin” se Qeveria ka ndarë 51 milionë për këtë ministri, ndërkohë që për forcën e re pritet të shtohen nga 5 milionë për çdo vit.
Ekspertët e çështjeve ushtarake dhe atyre të sigurisë konsiderojnë se nisma për krijimin e ushtrisë duhet të çohet përpara, sado që është mjaft e vonuar. Megjithatë, sipas tyre raportet me ndërkombëtarët nuk duhen të cenohen në asnjë mënyrë. (r.m.)






















