Policia e Shtetit mban nën vëzhgim prokurorët dhe gjyqtarët e Tiranës dhe ata të Kavajës. Urdhri është lëshuar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili, përmes inspektorëve të policisë së gjashtë komisariateve të Tiranës dhe ata të Kavajës, të mbledhë çdo informacion që ka të bëjë me kërkesat e Prokurorisë për masat e arrestit, masën e dënimit dhe vendimet e gjykatës për çdo procedim të nisur nga policia dhe akuza. Në 24 vite është rasti i parë që ministri i Brendshëm kërkon të survejojë me forcë çdo vendim gjykate dhe përmes tyre të ndëshkojë gjyqtarët dhe prokurorët “e padëshiruar”. I menjëhershëm ishte reagimi i Unionit të Gjyqtarëve. Kryetari i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, deklaroi për “Standard”: “Kushtetuta e ka të shprehur qartë se cilat janë institucionet që kontrollojnë vendimet e gjyqtarëve. Vendimet e gjykatave janë transparente”. Gjithsesi, Unioni pritet të dalë me një deklaratë të përbashkët dhe tepër kritikuese për urdhrat e brendshëm që ministri Saimir Tahiri ka lëshuar për të vjelë nga inspektorët e tij çdo informacion për prokurorët dhe gjyqtarët. Letra e dërguar komisariatit numër 1, 2, 3, 4, 5, 6 Tiranë dhe atij të Kavajës është firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i Policisë së Tiranës dhe ministri i Brendshëm. Në urdhrin e brendshëm, i cili duket hapur se është në shkelje të ligjit, ministri kërkon me çdo kusht informacion të detajuar për vendimet e gjyqtarëve dhe kërkesat e prokurorëve dhe më pas këto informacione i përdor për të ndëshkuar prokurorët dhe gjyqtarët, ashtu si në rastin e fundit ku përmes një letre i kërkoi Presidentit të vendit të ndëshkonte 25 gjyqtarë, pasi, sipas tij, kishin shkelur ligjin në caktimin e masave të arrestit.
Letra e zbardhur
Kërkohet informacion për veprat penale
Komisariateve të policisë 1, 2, 3, 4, 5, 6
Tiranë
Komisariatit të Policisë Kavajë
Në zbatim të detyrave të parashikuara në urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm numër 478 datë 31 mars 2014 “Për plotësimin e informacionit mbi referimet që bëhen në prokurori dhe masat e arrestit që kërkohet nga Prokurori dhe vendoset nga Gjykata”. Me qëllim analizimin e ecurisë së procedimeve penale, përmirësimin e punës hetimore, ngritjen cilësore të saj dhe rritjen e bashkëpunimit me institucioni e Prokurorisë dhe Gjykatës, në luftën kundër korrupsionit, brenda sistemit të drejtësisë, “si një shqetësim i prekshëm i qytetarëve”, nga ana juaj kërkohet informacion i hollësishëm për:
Procedimet penale të filluara nga strukturat e policisë, për të cilat prokuroria ka vendosur mosfillimin, pezullimin ose pushimin e çështjes penale.
Procedimet penale në fushën e krimeve të hapura,për të cilat prokurori ka kërkuar dënimin e autorëve në procedim dhe gjykata është shprehur me vendim pafajësie ose vendim pushimi.
Procedimet penale në fushën e krimit të organizuar, krimit financiar dhe krimeve të rënda, për të cilat prokuroria ka kërkuar dënimin e autorëve dhe gjykata është shprehur me vendim pafajësie apo vendim pushimi.
Letra drejtuar Presidentit
Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i dërgoi Presidentit, Bujar Nishani, njëherësh kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me anë të së cilës kërkonte ndëshkimin e 25 gjyqtarëve, që, sipas tij, nuk kishin lënë në burg 25 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Në 25 rastet e renditura nga ministri Tahiri të binte në sy fakti se bëhej fjalë për vendimet e gjyqtarëve në caktimin e masës së arrestit personal. Por asnjë prej rasteve që ministri Tahiri rendiste se gjyqtarët kishin bërë shkelje, nuk klasifikohej si krim i rëndë. Bëhej fjalë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kundërshtim i punonjësit të policisë, armëmbajtje pa leje, ushtrim prostitucioni, vjedhje. Letra e ministrit Tahiri u kundërshtua edhe nga Unioni i Gjyqtarëve, të cilët e vlerësuan në shkelje të Kushtetutës.
















