Por, para pak muajve, Ministria e Infrastrukturës ia ka shkëputur kontratën kompanisë kontraktuese “Arda Rei” për neglizhencë të punimeve, ngase ura është dashur të kryhet sipas planit dinamik për 36 javë pune. Kontrata peshonte mbi 728 mijë euro.
Në majë të këtij viti tenderi në vlerë prej 388 mijë e 693 mijë i është dhënë kompanisë nga Skenderaj “R & Rukolli” për të përfunduar urën për të cilën janë kryer vetëm punët fillestare nga ish kontraktori. Sipas kontratës së nënshkruar në mes të Ministrisë dhe “R & Rukolli”, plani dinamik i punëve parashihej që të fillonte nga data 5 qershor dhe të përfundonte me 10 tetor 2016, por punët nuk kanë nisur ende.
Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë dashur të deklarohen rreth këtij problemi. Ndërkohë, Rrustem Rukolli, pronarë i kompanisë “Rukolli” ka thënë se kontratën me ministrinë për ndërtimin e asaj ure e kanë nënshkruar që disa muaj. Ai ka thënë se Ministria dhe kompania e kontraktuar më herët kanë pasur mosmarrëveshje nder veti dhe se me zgjidhjen e këtyre problemeve do të fillojnë punët.
“Besoj që për këtë punë duhet të flet ministria. Por, më sa e di, atyre u ka dal problem me kompaninë e kontraktuar më herët. Tash ajo kompani ka filluar t’i heq disa skele dhe dërrasa që kanë qenë në punishte. Ne na kanë thënë ministria që të nisnim punën sa më shpejtë, por nuk kemi sit ë ia nisim njëherë punës pa i hequr kompania e më hershme gjerat e veta dh ta lirojë punishten”, tha Rukolli.
Zgjerimin i rrugës Nacionale N9, Prishtinë – Pejë, segmenti Arllat – Kijevë filloi në vitin 2013 kur ministër ishte Fehmi Mujota dhe akoma nuk ka përfunduar as ne pushtetin e ministrit Lutfi Zharku. Afatin kohorë për kryerjen e punimeve u ka kaluar të gjitha kompanive, por shumica nga to i kanë përfunduar pjesët e parapara me kontratë.
Fillimisht, ministrisë i dolën probleme në këtë projekte të natyrës pronësore, ngase njëherë filluan punimet e pastaj nisën shpronësimin e disa pronave nga kalon traseja. Në vitin 2013, Ministria ka kontraktuar segmentin për zgjerimit të i cili është i kontraktuar në tri pjesë në gjatësi prej 8.75 km. Në total, vlera e kontratave ka qenë 16 milionë e 764 euro.
Ndërkaq, për projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë (N9), më herët ministria ka bërë të ditur që është duke u punuar me BERZH- in që në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF – Western Balkan Investment Framework) të fillohet me plotësimin e Studimit të Fizibilitetit dhe Ndikimit Mjedisor për segmentin Kijevë – Zahaq (32 Km) dhe të bëhet plotësimi i projektit zbatues, si parakusht për fillimin e implementimit të projektit. Kohëzgjatja e planifikuar është 3 vjet, gjegjësisht deri në fund te vitit 2018.






















