Rusia kërcënon se do të kundërpërgjigjet nëse Bashkimi Europian vendos sanksione të reja ndaj saj, për situatën në Ukrainë.
Kjo pasi BE paralajmëroi se sanksione të reja do të shënjestrojnë individë të tjerë në Rusi. Këto masa mund të ndërmerren nga Brukseli zyrtar të hënën, nëse Moska nuk tërheq trupat nga lindja e Ukrainës.
Por në një komunikatë të ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, thuhet se nëse miratohen këto sanksione, padyshim që do të ketë një reagim nga ana e Kremlinit.
Por Lavrov nuk përmend masat që mund të marrë shteti i tij.
“BE, praktikisht po dërgon një sinjal në mbështetje të luftës në Kiev”, nënvizohet në komunikatë. Aktualisht në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut në Ukrainë, po respektohet armëpushimi i arritur të premten në Bjellorusisë nga grupi i kontaktit. Ditët e fundit, forcat separatiste pro-ruse arritën të përparonin në rajonet lindore. Kievi zyrtar dhe vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se po mbështet në njerëz dhe armatime trupat rebele, gjë që mohohet nga Moska zyrtare.
















