Mbrojtja e Rugovës do të ankohet ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. Ajo paralajmëron se do nga Gjykata Supreme e Kosovës do te kërkojë edhe mbrojtjen e ligjshmërisë, pasi konsideron se ka pasur shkelje të shumta procedurale.
Ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, i është caktuar përsëri masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Nexhat Shabani, avokat mbrojtës i Ukë Rugovës, ka konfirmuar se aktvendimi për paraburgim është marrë sonte (e shtunë) në orën 21:00, sipas kohës lokale.
“Po, në ora 21:00 është marrë aktvendimi nga gjykatësja e procedurës paraprake për gjykimin. Ukë Rugovës i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”, ka thënë avokati Shabani për Koha.net.
Shabani ka treguar se pala mbrojtëse ka të drejtë të paraqesë ankesë brenda 24 orësh në Gjykatën e Apelit dhe ka bërë të ditur se mbrojtja do ta bëjë këtë. Ai ka paralajmëruar se mbrotja do të kërkojë mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës.
“Pavarësisht kësaj, ne do të parashtrojmë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme”, ka thënë avokati i Ukë Rugovës, Nexhat Shabani.
Më herët, gjatë ditës, ky avokat kishte deklaruar se priste të merrej vendim lirues për Ukë Rugovën.
Ukë Rugova, të premten, u lirua nga paraburgimi më vendim të Gjykatës së Apelit, mirëpo vetëm pak kohë pas lirimit, ai u arrestua përsëri me urdhër të Prokurorit të EULEX-it.
Avokati Tomë Gashi, mbrojtës i Izet Beqirit që dyshohet lidhur me të njëjtin rast me Ukë Rugovën, e ka cilësuar skandalo arrestimin për të njëjtën vepër të një të dyshuari të liruar nga paraburgimi me vendim gjykate.














