Artan Grubi
Kam drojën që duke u përpjekur që të kuptojmë se kush qëndron pas fluturakës dhe duke u marrë me veten, po e humbasim betejën në krijimin e opinionit publik tek komuniteti ndërkombëtar, qoftë ai sportiv ose politik.
Jemi dëshmitar të prononcimeve të fuqishme dhe absolutisht të pavërteta dhe tendencioze nga presidenti, kryeministri dhe ministri i jashtëm serb për ta hedhur gjithë përgjegjësinë mbi kombëtarën dhe shtetin shqiptar për një gjest që është inicuar jashtë stadiumit dhe nuk dihet nga kush.
Për ta përforcuar këtë përpjekje për ta shfajësuar vetën, ia mveshën gjestin Olsi Ramës dhe akuzuan ekstremistët shqiptar, bile dhe thanë që Shqipëria s’bëhët dot shtet normal.
Si rrjedhojë, edhe UEFA edhe FIFA po shfaqin tendenca shqetësuese për të barazuar viktimën me agresorin.
Çdo gjë që ndodhi në stadium dhe jashtë, absolutisht çdo gjë, është përgjegjësi e autoriteteve serbe si organizator, ndërsa Shqipëria zyrtare dhe kombëtarja shqiptare nuk kanë asnjë përgjegjësi të vetme, por përkundrazi përgjegjësia bie vetëm mbi organizatorët serb për dështimin që lejuan dhe nuk parandaluan një gjë të tillë në stadium dhe jashtë stadiumit.
Puna nuk është kryer me betejën e fituar në Beograd. Prandaj, më shumë se sa për fluturakën dhe flamurin si dhe për garën për ti marr meritat, le të flasim zëshëm për ta denoncuar para opinionit botëror djegien e flamurit kombëtar shqiptar dhe atij të NATOsë, për fishkëllimin shtazarak të himnit kombëtar, për hedhjen e objekteve të forta dhe flakadaneve ndaj lojtarëve tanë, për hyrjen e tifozëve në stadium bashkë me guardianët zyrtar të cilët sulmuan lojtarët në fushë, bile edhe me karrike, për dështimin total organizativ, për lejimin e më shumë njerëzve në stadium se sa që ka kapacitet dhe për mos krijimin e shiritit sigurues, për largimin e flamurit zyrtar kombëtar, për brohoritjet:
“Vrit, therr, që shqiptar më mos të ketë”
“Vrite, vrite, vrite shqiptarin”
“Zot, nuk e di se ç’po më ndodh, dua ti vë flakë Xhamive”
“Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur, etj.”
Andaj, ju ftoj që secili nga ne, të shkruan komente tek profilet e zyrtarëve të UEFA dhe FIFA dhe faqet zyrtare të këtyre organizatave në twitter dhe facebook, por edhe e-mail deri tek zyrtarët e ndryshëm të futbollit evropian për të denoncuar këto veprime serbe me fotografi, video, artikuj, etj.
Ndërsa, heronjtë e vërtet dhe absolut të 14 tetorit janë çunat e kombëtarës që nuk lejuan përdhosjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe qëndruan stoik, një për të gjithë dhe të gjithë për një!
















