Si shumë bashkatdhetarë të tij, Lulzim Veliu u detyrua të largohej nga Kosova në fillim të viteve “90. Në vitin 1993 u detyrua të ndërpresë studimet në Universitetin e Prishtinës për të migruar në Gjermani, si azilkërkues. Iu deshën tre vite deri sa të fitonte statusin dhe të kishte të drejtën e lëvizjes dhe punës. E nga ajo kohë ka bërë punë të ndryshme. Pas përfundimit të luftës, së bashku me bashkatdhetarë të tjerë ndjeu lirimin nga barra e obligimit që kishte dhe filloi të mendojë më shumë për zhvillimin e tij personal e profesional. Kjo e ndihmoi Lulzimin të ishte edhe pjesë aktive në shoqata e organizata të ndryshme. Nga viti 2015, ai drejton shoqatën kulturore integrative “Identitet” dhe në vitin 2013 u krijua “Autonomia” që është qendër zhvillimore për teknologji inteligjente në Gjermani, e cila mbledh rreth vetes disa inovatorë shqiptarë. Falë një bashkpunimi me kompaninë zvicerano-gjermane “DigitalStrom”, nga viti 2017 kompania e tij është perfaqësuese gjenerale për “DigitalStrom” në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Mesazhi i Veliut për bashkatdhetarët është: “që me punë dhe vetëbesim arrihen të gjitha”.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm? Jo gjithmonë, në shumë raste në përcaktimin dhe rrugëtimin me profesionin ndikojnë edhe kushtet në të cilat jetojmë. Profesioni që unë kam dashur dhe kam menduar se do të jetë ka qenë drejtësia. Kam filluar me studime në Universitetin e Prishtinës, mirëpo me largimin nga vendi, kjo është bërë e pamundur dhe në Gjermani kam bërë punë të ndryshme, në disa profesione. Pra, më është imponuar profesioni.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/personal?
Ka shume momente që shënjojmë në rrugëtimin tonë, si personal ashtu edhe profesional.
Ne rrugëtimin profesional momentet të rëndësishme kanë ndodhur shumë vonë, pra që nga viti i kaluar kur intensivisht jam duke u marrë me drejtimin e Kompanisë “Smart Albania”, me shumë aktivitete të tjera në teknologjinë e shtëpive inteligjente, si dhe angazhimi jonë me disa projekte në shkollat profesionale dhe universitete në Tiranë.
Ndërsa, në aspektin personalë ndihem shumë i kënaqur dhe krenar me kontributin që kam dhënë sidomos në periudhën e Luftës në Kosovë, por edhe periudha të mëvonshme në unifikimin e mërgatës shqiptare në Gjermani.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Unë nuk mund të them se nuk kam pasur një çelës të veçantë në sukses, të gjitha ato që unë kam arritur kanë qenë rezultat i punës angazhimit dhe vetëbesimit. Pra, me punë dhe vetëbesim mund të arrihen të gjitha.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Shume sfiduese për mua ka qenë largimi nga vendlindja dhe integrimi në shoqërinë e re. Mirëpo unë jo vetëm në rrugëtimin personal por edhe profesional jam nga ata që sfidohen dhe nuk iu shmangem sfidave.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Në rastin tim nuk është diçka që zgjodha unë, fillova në Prishtinë me drejtësi, kam punuar shumë kohë në industrinë automobilistike, për të vazhduar në automatizimin e ndërtesave, ndersa tani drejtoj me dy kompani që kemi ekskluzivitetin e një kompanie të fuqishme zviceriano-gjermane për Shqiperi, Kosovë dhe Maqedoni, pra nuk ka rezultuar keq, edhe pse nuk ishte zgjedhje e imja.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Ka shume raste dhe arritje kur njeri mendon se janë tejkalim i vetes së tij, mirëpo unë nuk dua të shkoj larg në kohë, por në punën që është duke u bërë me projektet e fundit.
Pas krijimit të qendrës për hulumton “Autonomia” në Gjermani, vendosëm të vazhdojmë aktivitetin tonë në Shqipëri dhe Kosovë, me disa prezantime të sistemit të shtëpive inteligjente. Fillimisht për shumicën e atyre që takuam këto sisteme ishin të panjohura dhe pyesnin se çfarë është, ndërsa tani falë punës dhe projekteve tona të realizuara jo vetëm që nuk ka pyetje të tilla, por kemi shumë kërkesa nga shkollat profesionale dhe universitete që të jenë pjesë e trajnimeve tona. Pra ka qenë shumë sfiduese vetëdijësimi i komunitetit dhe arritjet e deritanishme i vlerësoj si triumfuese.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Fjala Atdhe është një nga fjalët më të rëndësishme në gjuhën tonë, duke mos harruar për vuajtjet dhe sakrificat që janë bërë në Atdheun tonë. Me një fjalë, Atdhe për mua është aty ku linda, u rrita dhe u edukova, aty është vëmendja ime gjithmonëë.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Një gjë shumë të mirë që ne e kemi trashëguar si Komb, është besnikëria, e cila na shoqëron kudo që ne jemi.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Fjala emigrant na shoqëron ku do që ne jemi. Në vendin e pritjes kjo fjalë është shumë sfiduese, derisa ne kemi arritur të integrohemi, por kjo fjalë na përcjell edhe në kohën që ne kalojmë në vendlindje.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Bashkëpunimi ndërshqiptar mund të përmirësohet me ndërtimin e besimit të ndërsjelltë dhe me respektimin e palëve, por edhe me shkëmbimin e eksperiencave.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Shumë gjera do të duhej të ishin ndryshe në mëmëdhe, unë do të dëshiroja që mëmëdheu ynë të ishte pjesë e Bashkimit Europian, e jo të flitej për bisedime me Serbinë apo edhe për ndryshime kufijsh e shkëmbim territoresh. Mirëpo në situatën që jemi do të kërkoja që të paktën të bëhet me tepër për arsimin dhe shëndetësinë.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Këtu kemi një dallim në mes të dy qeverive Shqipërisë dhe Kosovës, qeveria e Kosovës ka krijuar Ministrinë e Diasporës shumë më herët, por për fat të keq ka qenë ministri që është bërë vetëm për të plotësuar apetitet e partnereve të koalicionit të shumtë në numër, ndërsa për emigrantët është bërë shumë pak e në këtë rast duhet përmendur organizata joqeveritare Germin, e cila ka bërë shumë më shumë punë se vetë ministria, ndërsa në Shqipëri përkundër shumë më vonë është emëruar ministri për diasporë janë bërë punë shumë të mira.
Kërkesë e jona kundrejt dy qeverive është të na bëhet e mundur që mërgata, jo vetëm të zgjedhë, por edhe të zgjidhet e të përfaqësohet në institucionet vendore.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Ne me kompaninë SmartAlbania, në Shqipëri nuk sollëm vetëm produktet, por edhe kurrikulën shumë mirë të përgatitur me një tekst në gjuhën shqipe, i pari për teknologjinë e shtëpive inteligjente dhe përveç projekteve biznesore, jemi mirë të planifikuar në shkollat profesionale dhe dy universitete në Tiranë, deri në fund të vitit ndërsa nga viti tjetër, do të jemi në një shkollë profesionale në Kosovë.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
Së pari ju përgëzoj për punën dhe për numrin e arritur të lexuesve tuaj, ju uroj që ky numër të këtë edhe një zero nga mbrapa, ndërsa mesazhi im për lexuesit tuaj do të ishte që me punë dhe vetëbesim arrihen të gjitha.
“The Albanian”

















