Ferdiana Hoti është vetëm 23 vjeçe, nga Gjilani, studente e doktoraturës në akademinë shkencore SCK-CEN si dhe asistentja e parë kosovare në Universitetin e Anversës në Belgjikë. Një shkencëtare që premton për më shumë. Nga studente e UBT-së, për të vazhduar në Austri e Gjermani dhe së fundit për të korrur sukseset akademike në Belgjikë, një shembull i shkëlqyer suksesi dhe inkurajimi për çdo të ri shqiptar. Falë njohurive dhe eksperiencave të saj shkencore asaj iu bë oferta që të konkurrojë për një bursë për studimet e doktoraturës. Pasi që i kaloi me sukses të gjitha fazat e garës ku vetëm 15 nga 130 aplikante duhej të pranoheshin, si dhe pasi mbrojti me sukses propozimin e temës së doktoraturës, asaj iu ofrua burse 4 vjeçare nga komisioni ndërkombëtar i njërës prej akademive shkencore më të mëdha në Europe në bashkëpunim me Universitetin e Anversës. E lidhur me punën dhe profesionin, nuk harron atdheun, që për të është “vendi nga i cili dola e vetme me shumë ëndrra, shumicën e të cilave i kam shndërruar në vizione të njëpasnjëshme dhe i kam realizuar”, me synimin e qartë për të kontribuar në mënyrën më të mirë, qoftë nga distanca përmes arritjeve dhe hulumtimeve të saj shkencore.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Unë jam një mbështetëse e madhe e mendimit se çdo gjë ndodh për një arsye. Fakti se tani jam duke kryer studimet e doktoratës, ka qenë gjithmonë pjesë e planeve të mia, mirëpo drejtimi i studimit, jo domosdoshmërisht. Unë fillova studimet Bachelor në Prishtinë për Shkenca Politike, ku në vitin e parë m’u ofrua një bursë për vazhdimin e studimeve në Austri. Gjatë kësaj periudhe kryeja internshipe të ndryshme në mënyrë që të kontribuoja në rritjen time profesionale. Menjëherë, pas diplomimit në Austri, erdha në Belgjikë për të vazhduar me nivelin Master, prapë për Shkenca Politike. Krahas studimeve, fillova një internship shkencor në Fakultetin ku po studioja ku pastaj më ofruan edhe të asistoja profesorët me të dhëna shkencore. Në ndërkohë që po punoja me temën e Masterit, mentori im më sugjeroi të aplikoj për një pozitë të hapur për PhD që ishte një bashkëpunim mes Universitetit të Anversës dhe Institutit Shkencor për Energji Nukleare në Belgjikë. Tema ishte mjaft intriguese dhe kjo më shtyu që të aplikoj dhe të futem në garën për kandidatin më të mirë si dhe për fitimin e fondeve për këtë hulumtim. Falë punës dhe përgatitjeve të shumta, arrita që të isha në mesin e 15 kandidatëve të zgjedhur, nga 130 që kishin aplikuar, nga e gjithë bota. Tani unë jam duke hulumtuar mënyrat e komunikimit të pasigurive që janë të pranishme në situatat me rreziqe radiologjike. Nëse e krahasojmë me atë që kam studiuar deri tani, puna ime aktuale është shumë më specifike, prandaj e kam gjetur veten mjaft mirë dhe jam e kënaqur me atë që bëj.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Nuk besoj se ka ndonjë çelës apo qasje holistike drejt suksesit. Madje vetë fjala “sukses” ka kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Gjithçka varet prej normave tona dhe vlerave që u japim gjërave. Megjithatë, nëse flasim për arritjen e qëllimeve tona të caktuara, besoj se të qenit këmbëngulës luan një rol kyç. Shpesh dëshpërohemi para dështimeve dhe rruga drejt arritjes së qëllimit na bëhet e paqartë e me shumë pasiguri. Mirëpo, nëse vazhdojmë të punojmë fort e t’a rrethojmë veten me njerëz që besojnë në vizionin tonë dhe na frymëzojnë të shkojmë përpara, asgjë nuk është e pamundur.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Të gjithë kemi të përbashkët faktin se përballemi me sfida të ndryshme. Mirëpo ajo cfarë na dallon nga njëri-tjetri është mënyra se si reagojmë kundrejt tyre. Unë dola jashtë Kosovës për studime kur isha vetëm 19 vjeçe. Sfidat e para që kam hasur ishin ato lidhur me proceset administrative dhe vizës. Duke qenë se Kosova ende nuk posedon lëvizje të lirë brenda BE-së, mua më duhej që të vendos çdo gjë nga distance, pa qenë në gjendje të shoh vendin ku do studioj apo banoj, paraprakisht.
Edhe pse vitin e parë në Austri e kisha të mbuluar me bursë, vështirësitë financiare në vitet në vazhdim nuk mungonin, sidomos pas dështimeve kur aplikoja për punë, për shkak të mospërshtatjes së orarit lidhur me studimet dhe internshipet që po kryeja. Shpesh më është dashur të punoj si babysitter në mënyrë që t’u përballoj kërkesave financiare. Mbi të gjitha, sfida më e vështirë që e kam përjetuar dhe që jam tejet mase e lumtur që e kam tejkaluar është periudha e depresionit, që e kisha para një viti si pasojë e akumulimit të streseve dhe përgjegjësive të shumta. Faktikisht, kur shoh mbrapa, në vend që t’i shoh këto eksperienca si pengesa apo sfida, mendoj se vetëm sa më kanë ndihmuar që të bëhem e pavarur, t’i vlerësoj më shumë gjërat që shpesh i marrim si të mirëqena, si dhe të zhvilloj aftësitë e të përfunduarit shumë punë njëkohësisht.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Shpesh na ndodh që të gjendemi në udhëkryqe ku duhet të peshojmë mes opsioneve të ndryshme dhe mundohemi të marrim vendime sa më racionale. Besoj se kur ke një qëllim të caktuar, marrja e vendimeve bëhet më e lehtë për shkak se e dimë pak a shumë në çfarë drejtimi duam të shkojmë. Personalisht, shumë rrallë kam pasur momente kur jam penduar për vendimet e mia apo kam menduar se si do ishte po të veproja ndryshe. Gjithçka ndodh për një arsye dhe çdo situatë me të cilën përballemi, qoftë ajo dështim apo sukses, na çon drejt qëllimit tonë kryesor, nëse jemi këmbëngulës në mënyrë të mjaftueshme.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Duke qenë se vetë natyra njerëzore është e tillë që na bën të mos ngopemi dhe të kërkojmë gjithmonë më shumë nga vetja, arritjet më të fundit janë ato që na bien së pari në mend dhe na duken më triumfueset për momentin. Unë, momentalisht, arritjen më të madhe e konsideroj periudhën kur kalova me sukses të katër fazat e aplikimit për doktoraturë, përballë komisioneve të ndryshme me shkencëtarë nga e gjithë bota, për t’u zgjedhur si kandidatja e duhur për temën në të cilën aktualisht punoj në një nga institutet shkencore më të mëdha në Europë, sa i përket energjisë nukleare. Tani më duhet të udhëtoj shumë shpesh për punë dhe konferenca shkencore. Një nga eksperiencat më të fundit që kam pasur nga këto konferenca ka qenë në Oxford të Anglisë, para një muaji, ku prezantova rezultatet e para të hulumtimit tim. Ajo që më bëri të ndihesha krenare ishte se edhe pse argumentet dhe rezultatet e mia kritikonin njohuritë aktuale shkencore, unë mora shumë reagime pozitive dhe përkrahje nga shkencëtarët, politikëbërësit dhe anëtarët e tjerë të pranishëm në atë konferencë.
Duke qenë se unë vetë jam vetëm 23 vjeçe, jam e interesuar shumë që t’i përkrah të rinjtë e sidomos femrat në shkencë. Për këtë arsye, tani jam duke e organizuar një panel për “shkencëtarët e rinj”, në një konferencë në Barcelona të Spanjës, ku planifikojmë të prezantojmë rezultatet tona si dhe të flasim hapur për sfidat me të cilat përballemi gjatë hulumtimeve.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Atdheu për mua është vendi nga i cili dola e vetme me shumë ëndrra, shumicën e të cilave i kam shndërruar në vizione të njëpasnjëshme dhe i kam realizuar. Ajo çfarë përjetoj sot, kur mendoj për Kosovën, është ndjenja e nevojës për të kontribuar në mënyrën më të mirë, qoftë nga distanca përmes arritjeve që shkojnë në emër të saj apo edhe drejtpërdrejt, duke e përfshirë atë në hulumtimet e mia shkencore.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Besoj se fakti që vijmë nga një vend ku na kanë munguar shumë mundësi të cilat ndoshta këtu ku jetojmë tani merren si të mirëqena, na ka bërë që të punojmë më fort dhe t’ua dijmë vlerën gjërave më shumë. Ne, shqiptarët, njihemi për kokëfortësi dhe ndonëse shpesh kjo nuk na ka shërbyer për mirë, ka si anë pozitive faktin që nuk dorëzohemi lehtë para sfidave që na shfaqen duke na shtyrë kështu që t’u afrohemi qëllimeve tona. Njëkohësisht, edhe fakti që jemi të shoqërueshëm dhe kemi tendencë t’i shikojmë gjërat nga ana pozitive, besoj se ndihmon shumë në pjesën e integrimit.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Personalisht, nuk kam pasur ndonjë rast specifik ku jam diskriminuar për shkak se kam qenë “e huaj”. Në vend të kësaj, problemet e mia kanë gjeneruar më shumë, si shkak i statusit ndërkombëtar të Kosovës. Së pari, kur aplikova për doktoraturë, Kosova nuk ishte fare në listën e shteteve në formularin e aplikimit. Pasi insistuam në mënyra të ndryshme ta përfshinim atë, problemi i radhës ishte në fazën e fundit të aplikimit ku unë do të vlerësohesha nga komisioni kryesor pa prezencën time aty. Nga ajo që më ka treguar mentori im, edhe pse komisioni ishte shumë i kënaqur me prezantimin dhe aftësitë e mia, ata gati më diskualifikuan për shkak se Kosova kishte statuse të ndryshme në lista të ndryshme. Fatmirësisht problemi u sqarua dhe gjithçka shkoi mirë. Të njëjtin problem e kam pasur edhe kur përfundova studimet Master në Belgjikë. Në diplomën e Masterit, më figuron se kam lindur në Jugosllavi dhe Kosova nuk përmendet fare. Edhe pse kam paraqitur shumë ankesa si ndaj universitetit, ashtu edhe ndaj qeverisë dhe ambasadës së Kosovës në Belgjikë, nuk është se kam marrë ndonjë reagim ose ndryshim pozitiv. Një tjetër problem është se më duhet të kaloj shumë procedura administrative përmes institutit ku punoj dhe ambasadave në mënyrë që të marrë pjesë dhe të organizoj panelin e konferencës në Spanjë, pasi që Spanja nuk e njeh pasaportën Kosovare. Kjo tregon se ne që vijmë nga vendet tjera, e kemi shumë më të vështirë rrugën drejt qëllimeve tona.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Kam vërejtur se shqiptarët kanë tendencë shumë të vogël për të ndihmuar njëri-tjetrin apo për të bashkëpunuar. Kemi dëshirë që të gjitha gjërat t’i bëjmë vetë duke tentuar kështu të jemi të vetmit në një fushë të caktuar. Madje, nëse i analizojmë titujt e shumë artikujve në media, lidhur me arritjet e Shqiptarëve, vërejmë se shumë shpesh përdoren fjalitë e sojit: “kjo është shqiptarja e parë që…” apo “kjo është shqiptarja e vetme në…”. Kjo mund të ketë ndikim në faktin që ne nuk jemi bashkëpunues me njëri-tjetrin, pasi duam të jemi të parët gjithmonë. Tani që po e mendoj, kjo mund të jetë edhe si ide për hulumtim të mëtutjeshëm.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Së pari, besoj se veçanërisht të rinjtë duhet t’u ekspozohen sa më shumë eksperiencave të udhëtimit jashtë vendit, qoftë për studime, trajnime apo turizëm, në mënyrë që të shohin ndryshimet në kultura dhe mentalitete si dhe të hapen më shumë drejt mundësive dhe sfidave që na ofrohen, të cilat vetëm sa na e forcojnë karakterin. Së dyti, duhet të luftojmë sa më shumë që të zhdukim patriarkalizmin, i cili, fatkeqësisht, ende është dukshëm i pranishëm në shumë instanca.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Kosova është shteti me popullatën më të re në Europë, me gjysmën e popullsisë nën moshën 25-vjeçare, mirëpo qeveritarët i kemi të vjetër në moshë dhe në ide. Kjo shkakton mospërputhje idesh, qëllimesh dhe nevojash mes qytetarëve dhe udhëheqësve të shtetit. Ndoshta ky është edhe një shkak sepse përpjekjet e qeverisë sonë nuk përshtaten aspak me nevojat e diasporës e aq më pak me ato të studentëve shqiptarë jashtë vendit. Mendoj se ka mënyra shumë më inovative se si të krijojmë bashkëpunim dhe benefite reciproke mes diasporës dhe vendeve tona dhe kjo fillon, duke u lënë më shumë hapësirë të rinjve të përfaqësojnë idetë dhe nevojat e tyre.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Qëllimet e mia afatshkurtëra janë që të vazhdoj hulumtimet e mia shkencore dhe të krijoj mënyra të komunikimit të pasigurive, lidhur me rreziqet radiologjike. Këtë vit më duhet të udhëtoj në shtete të ndryshme për konferenca si dhe për të testuar mjete të komunikimit, ndërsa në nëntor do kem një qëndrim shkencor njëmujor në Universitetin e Potsdam, në Gjermani, në mënyrë që të takoj dhe bashkëpunoj me shkencëtarët e këtij universiteti. Në të ardhmen planifikoj të kontribuoj me njohuritë e mia lidhur me analizat dhe komunikimin e rreziqeve në Kosovë, duke vendosur bashkëpunime mes instituteve dhe shteteve të ndryshme.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do të ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Mesazhi që dua të përcjell është që të mos heqim dorë përballë sfidave. Gjithmonë do kemi raste dështimesh, mirëpo në vend që t’i përdorim këto dështime si mur për të izoluar veten, duhet t’i përdorim ato si shkallë drejt arritjes së qëllimit tonë. Gjithashtu, rrethojeni veten me njerëz që ju shtyjnë përpara dhe besojnë në aftësitë tuaja. Asnjë vizion nuk është i paarritshëm dhe limitet e vetme që ekzistojnë janë ato që ju ia vendosni vetes.
Petrit Kuçana The Albanian