Mes pedagogjisë dhe studimeve, konsulencës për organizata ndërkombëtare dhe kontributit në media dhe aktivitetet e shoqërisë civile, Endrit Shabani është sot një nga dhjetëra shqiptarët e suksesshëm në Perëndim. Kur qëlloi të ishte thjesht një vizitor në Francë, ëndërronte të bëhej student në ato auditore dhe kurrë nuk do ta kishte besuar se do të kthehej aty si pedagog. Tepër mbresëlënës ishte rrugëtimi i tij nga Tirana në një ndër universitetet më prestigjioze të planetit si ai i Oxfordit, duke u shndërruar në një ambasador të shkëlqyer të vlerave Shqiptare në botë. Si për çdo njeri, ka një çast kyç, një çast kthese në jetë, një çast që i jep tjetër drjetim jetës e karrierës, edhe për Shabanin, nuk ka asnjë diskutim, se Oksfordi ishte vendi, koha, momenti vendimtar që kushtëzoi të ardhmen e tij.Me Endrit Shabanin rinisim sot ciklin e intervistave me shqiptarë të suksesshëm në botë, ata që na bëjnë të ndihemi krenarë.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Në fakt koha kur profesioni të shoqëronte gjatë gjithë jetës ka ikur. Në botën sotme njeriu nuk banon shumë gjatë më rolin e tij profesional. Struktura ekonomike dhe dinamika e jetës është e tillë që një moment je në karrierën profesionale, në tjetrin je rikthyer në bankat e shkollës si student. Ky trend është i tillë sa nuk bën më sens t’i pyesësh fëmijët “çfarë do bëhesh kur të rritesh?”, pasi brezi i ri mendohet të ndërrojë 20 – 25 profesione gjatë gjithë jetës.
Gjithsesi, unë momentalisht e ndaj jetën time mes aktivitetit akademik si pedagog dhe studiues, konsulencës për organizata ndërkombëtare dhe kontributit në media dhe aktivitetet e shoqërisë civile. A është kjo jetë që po bëj ajo që kam dashur gjithmonë? Sigurisht që po. A ka qenë ajo pasojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjeve të mirëllogaritura dhe të planifikuara deri në detaj? Sigurisht që jo. Shumë gjera kanë ardhur natyrshëm, si pasojë e një procesi të vazhdueshëm rritjeje dhe reflektimi, por edhe i mundësive që më janë dhënë në jetë. Personalisht nuk kam bërë asnjëherë naze për punën (qesh).
Sigurisht, kam pasur gjithmonë një njohje të mirë të vetes, në kuptimin e gjërave që më motivojnë në jetë, dhe një farë guximi për të mos zgjedhur rrugën më të lehtë. Për shembull, unë kam pasur gjithmonë një pasion për politikën, në kuptimin e shqetësimit për publiken. Mbaj mend që jam zgjedhur senator klase, çdo vit dhe në çdo shkollë, që nga klasa e gjashtë në fillore dhe deri në fund të universitetit. Kam qenë përherë ai tipi që përballet me drejtorin e shkollës për çështjet e administrimit të shkollës, apo me mësueset për mënyrën e mësimdhënies, provimet etj. Ata që më njohin që fëmijë mund të të dëshmojnë që nuk kam ndryshuar shumë që atëherë (qesh).
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Jeta është një kombinim vendimesh të vogla si gurët që formojnë shtratin e lumit, kështu që është vështirë të dallosh cili moment ka më tepër peshë në caktimin e drejtimit të jetës. Por, nëse do duhet të zgjidhja patjetër, sigurisht që do thosha ardhja në Oxford. Oxfordi i ka ndryshuar jetën Oskar Uajldit, Adam Smithit, e Xhon Lokut, e jo më mua (qesh).
Në këtë drejtim mbaj mend tre momente: kur mora lajmin që isha pranuar në Oxford, kur mora lajmin që kisha fituar bursën për studimet Master dhe kur mora lajmin për bursën e doktoraturës. Të treja kanë qenë momente me një intensitet të jashtëzakonshëm emocional, ku përveç lumturisë ka patur edhe një ndjesi të fortë ankthi. Para se të vija në Oxford ishte e paqartë se çfarë do gjeja, dhe kjo sa më bënte kurioz, aq më krijonte edhe një ankth nëse do ia dilja. Gjithçka ishte shumë e re për mua. Ndërsa kur mora bursën për doktoraturën, për shkak të prestigjit që ka bursa Clarendon, kam pasur vazhdimisht një shqetësim, nëse e kam justifikuar besimin që universiteti më ka dhënë dhe nëse dikush tjetër do kishte punuar më shumë apo më mirë se unë.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Hmm si fillim, me këtë pyetje nënkuptohet që unë kam hapur derën e suksesit, gjë që unë nuk e besoj. E kemi diskutuar edhe një herë këtë, kur të thash që unë nuk e konsideroj veten të suksesshëm, dhe mu përgjigje “domethënë nuk paskemi parë gjë akoma?” (qesh).
E vërteta është se suksesi për mua nuk është të pranohesh në një universitet të njohur, të fitosh një bursë, gjesh një punë të mirë apo të bëhesh i njohur. Të gjitha këto mund jenë të rëndësishme nëse dikush i kthen ato në qëllime jete, por ky nuk është rasti im.
Për mua suksesi është pikëmbërritje jo në një vend, por në një gjendje. Unë do ta konsideroja veten time të suksesshëm vetëm kur të jem në gjendje ekuilibri midis botës së brendshme dhe botës përreth.
Unë nuk jam i lumtur me situatën ku është sot Shqipëria, por as nuk jam i lumtur të mos jetoj në Shqipëri, pasi aty kam gjithçka të shtrenjtë për mua, duke filluar nga prindërit. Unë largimin e kam parë gjithmonë si të përkohshëm, pasi kam ardhur për të studiuar dhe do kthehem në Shqipëri. Por duke jetuar jashtë e kam njohur edhe më mirë Shqipërinë, pasi kam filluar të krahasoj shumë gjëra, gjë që më ka bërë që të jem edhe më i palumtur me situatën në vend. Pra, për ta përmbledhur, nuk mund të jem i suksesshëm për sa kohë jam në këtë limbo. E për pasojë nuk mund të jap formula suksesi kur nuk e kam arritur as vetë atë.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida thoni se ju kanë rritur?
Disa. Së pari, ka qenë para 10 vitesh kur mamaja ime u sëmurë rëndë dhe marrëdhëniet prind-fëmijë në një farë mënyrë u përmbysën për disa kohë. Kjo ishte sfidë jetësore nga ato që të rrisin brenda natës, pasi kupton që duhet të marrësh përgjegjësi për jetën dhe shëndetin e atyre që deri dje kujdeseshin për ty.
Së dyti, ka qenë pak më vonë kur, edhe pse fare i ri dhe pa eksperiencë, m’u desh ta përfaqësoja mamanë time në gjyq kundër kompanisë së sigurimeve që refuzonte të paguante shpenzimet e kurimit të saj. Ka qenë një betejë e tipit Davidi kundër Goliathit, ku kam mësuar vërtet shumë, por edhe kam përjetuar një varietet emocionesh, nga frika dhe pasiguria në fillim, tek guximi për të bërë atë që është e drejtë, dhe lumturia e pastër që përjeton nga triumfi në rase të tilla.
Së treti, ka qenë përballja me Universitetin e Oxfordit. Studimi këtu, në veçanti fillimi, ka qenë një nga sfidat më të vështira të jetës. Më është dashur që në një periudhë tepër të shkurtër të mësojë si funksionon sistemi dhe të mbijetoj. Kam pasur sfida nga gjërat më elementare, që vinin nga mungesat me të cilat të lë sistemi arsimor shqiptar, deri tek sfida serioze që kanë të bëjnë jo vetëm me shkollën, por me gjetjen e vetvetes. Kam lexuar që koha rrjedh me shpejtësi tjetër në planetet e tjera. Nga ky këndvështrim edhe Oxfordi ka qenë një planet tjetër për mua (qesh).

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
E kam menduar shpesh se çfarë do jem duke bërë në një univers paralel ku kam shkuar në gjimnazin që kisha afër shtëpisë, nuk kam studiuar për drejtësi, nuk kam shkuar në Oxford apo nuk kam nisur doktoraturën. Janë kryqëzime këto, dhe shumë të tjera, që më kanë çuar në drejtime krejt të ndryshme nga ato që mund të kishin qënë.
Në vija të përgjithshme mendoj se kam bërë zgjedhjet më të mira të mundshme brenda mundësive dhe informacionit që kam patur në kohën kur kam marrë këto vendime. Kështuqë mund të them se “Je ne regrette rien” (qesh).
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Nuk e di. Shpesh e pyes veten se kë dua të impresionoj më tepër në jetë, dhe ende nuk e kam gjetur përgjigjen. Por di të them se ka qenë motivim shumë i madh në jetën time të bëj të lumtur njerëzit që dua më shumë. Në fund të fundit, a nuk është kjo lumturia?
Por, të thuash që dikush tejkalon vetveten duket sikur ka një gabim konceptual, pasi diçka që bëjmë mund të jetë tejkalim i pritshmërive të të tjerëve që banojnë në mendjen tonë, por kurrsesi i vetes në kuptimin e parë të fjalës. Nuk e di nëse më kupton.
Si është një ditë e zakonshme për ju?
Prej disa vitesh unë e ndajë jetën mes Tiranës, Oxfordit dhe Parisit, dhe kështu që udhëtoj çdo dy-tre javë. Prandaj, e vetmja mënyrë për të pasur një ekuilibër mendor ka qenë duke zhvilluar të një rutinë fikse që e ndjek kudo që jam. Në përgjithësi zgjohem goxha herët në mëngjes, dhe përpara se të nis ditën meditoj për 15 minuta. Pastaj punoj me intensitet deri në drekë, duke shmangur shpërqendrimet. D.m.th nuk para lë takime në mëngjes si dhe mbyll telefonin, emailet, rrjetet sociale dhe portalet e lajmeve. Pjesa mbas drekës pastaj vazhdon pak më e relaksuar deri mbasdite vonë. Kjo është pak a shumë dita e zakonshme e punës, ndërsa fundjava pastaj si të vijë, sepse ia dedikoj njerëzve që dua më tepër, të cilët i lë pas dore gjatë javës (qesh).

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
E kemi diskutuar edhe një herë këtë, ku të kam thënë që për mua atdhe është habitati ku ndihem në shtëpi. Duke huazuar sociologun francez Bourdieu, do të thosha që në atdhe ndihem si peshku që lundron lehtësisht në ujë, pa e ndjerë peshën shtypëse të ujit.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Shoqëria Shqiptare është e varfër në drejtimin material, por ka një pasuri që fatkeqësisht është duke e humbur gradualisht. Dhe ka të bëjë me solidaritetin social. Në Shqipëri njeriu e ka teknikisht të pamundur të ndihet vetëm (qesh). Dua të them se ne për një kohë të gjatë kemi pasur një komunitet shumë të shëndosh social, duke qenë shumë të lidhur jo vetëm me njerëzit e familjes, por edhe me komshinjtë, kolegët etj. Ky lloj ambienti i shëndetshëm social më ka zhvilluar atë që quhet inteligjencë emocionale, dhe pa të cilën njeriu jo vetëm e ka të vështirë të ketë sukses në jetë, por mbi të gjitha e ka të pamundur të jetë i lumtur.
Është interesante por kjo është diçka që shoqëria angleze nuk e ka. Mjafton të shohësh që kanë Ministri Vetmie për t’i thënë të gjitha.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Të jem i sinqertë, nuk duhet të ankohem pasi kam qenë me fat në këtë pikë. Unë për herë të parë jashtë kam jetuar në Oxford, si student, dhe më pas si pedagog në Paris. Të dyja këto qytete janë ndërkombëtare në kuptimin e vërtetë të fjalës, ku diskriminimi është në nivele shumë të ulëta. E dyta, unë kam qenë kryesisht në ambiente akademike, dhe për më tepër, në universitete ndërkombëtare, ku pjesa më e madhe janë të huaj. Për pasojë, nuk e kam ndjerë aq shumë paragjykimin që vjen nga fjala “emigrant” apo të qenit shqiptar. Një presion social ky i padrejtë dhe i pamerituar me të cilin përballen shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë në komunitete ku popullsia është homogjene dhe ku paragjykimi është më i lartë dhe më i dukshëm.
Sigurisht, nuk është se më kanë munguar episode ku jam ndjerë i paragjykuar prej faktit që jam shqiptar, por këto kanë qenë të izoluara dhe pa ndonjë pasojë serioze. Shpesh është e vështirë të luftosh me frikërat e njerëzve, dhe maninë për t’i futur miliona njerëz në një stereotip të vetëm. Por kjo tregon më shumë për atë që paragjykon, se sa për mua.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Do të doja që Shqipëria të ishte një vend demokratik, ku qeveris populli dhe jo një dorë bajraktarësh që i kanë hipur popullin mbi shpinë. Është një vend tepër i pasur nga burimet natyrore, në fakt vëndi i dytë më i pasur në Evropë për raportin e pasurive natyrore për frymë. Është një vend i bekuar për nga klima dhe pozicioni gjeografik. Është një popull vital, me energji të jashtëzakonshme. Por është vjedhur e është rrjepur, dhe ajo që ka mbetur është keqmenaxhuar e shpërdoruar. Që nga pavarësia e deri më sot, për më shumë se njëqind vite, fatet e shqiptarëve dhe Shqipërisë i kanë vendosur shtatë burra. Sikur këta të ishin pak më të përgjegjshëm sot nuk do kishin njerëzit asnjë arsye për të ikur nga Shqipëria. Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Të gjithë e dimë që pjesa më e madhe e popullit shqiptar nuk jeton brenda kufijve zyrtar të Shqipërisë. Për këtë arsye shteti shqiptar duhet të ndërtojë një platformë për t’i bërë shqiptarët të ndihen jo vetëm pjesë, por edhe të mbrojtur kudo që të jenë.
Më irriton shumë për shembull që qeveritë Shqiptare nuk kanë marrë një rol koordinues për t’i bërë bashkë shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni. Ata, së fundmi, janë bërë bashkë me njeri tjetrin dhe janë duke fituar. Por janë dekada të humbura për shqiptarët në këto vende, që mund të ishin kursyer nëse politika shqiptare do kishte luajtur një rol më pozitiv dhe më të përgjegjshëm në këtë drejtim.
Në lidhje me Kosovën mendoj që deri tashmë kemi dëgjuar vetëm demagogji nga politikanët në të dyja anët e kufirit, por jo gjëra konkrete. Unë mendoj se duhet vepruar në tre drejtime:
E para, duhet të krijojmë një treg të përbashkët me Kosovën, ku të stimulohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave. Duhen hequr tarifat doganore dhe duhen njehsuar diplomat. Më duket se është punuar që të integrohemi më shpejt me Serbinë se me Kosovën në këtë pikë. Mjafton t’i hedhësh një sy nga vijnë produktet që konsumojnë shqiptarët për ta kuptuar këtë.
Së dyti, duhet investuar në një infrastrukturë të përbashkët. Në vend që të ndërtojmë një hekurudhë Gjirokastër – Mitrovicë, qeveria shqiptare shkon dhe vendos tra në rrugën e kombit, duke pasuruar klientët e saj, e duke ndarë popullin.
E treta, ashtu si BENELUX edhe ne mund të kemi ambasada të përbashkëta me Kosovën. Kjo do ndihmonte në njohjen e Kosovës, por edhe do kursente paratë e shqiptarëve. Bashkimi i Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut është një shembull nga ku mund të mësojmë shumë jo vetëm në këtë drejtim.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Qeveria po sillet me diasporën ashtu siç sillet me shqiptarët që jetojnë në vend. U zhvillua një samit i dytë, pa u analizuar se çfarë u arrit me të parin (sigurisht përveç milionave të shpenzuara për aheng dhe banket). Ne nuk bëjmë asgjë nga ato që bën Sllovakia, Kroacia apo Sllovenia për diasporën e vet. Ka një mungesë serioze interesimi për shqiptarët që jetojnë në diasporë.
Unë do sugjeroja që qeveria të ndërtojë një platformë bashkëpunimi me të gjithë shqiptarët e diasporës, të cilët kanë dëshirën dhe kapacitetin që të ndihmojnë në Shqipëri. Ky bashkëpunim mund të ishte në edukim, ku shumë akademikë shqiptarë në diasporë mund të ndihmonin universitetet shqiptare. Mund të ishte në politikbërje, ku ekspertët shqiptar që punojnë në institucionet ndërkombëtare mund të ofronin konsulencë në hartimin e politikave publike.
Mbi të gjitha ky bashkëpunim mund të ishte në drejtim të integrimit evropian. Janë miliona shqiptarë që kanë marrë shtetësinë evropiane. Nëse qeveria do bashkëpunonte me ta, do të krijonte grupin më të madh politik në Evropë, që do të ushtronte presion institucioneve evropiane për integrimin e Shqipërisë në BE. Sot që flasim, asgjë nga këto jo vetëm që nuk bëhet, por as që diskutohet.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Njerëzit kanë sfida të ndryshme në jetën e tyre dhe nuk e di nëse unë do kem një përgjigje inkurajuese për 1 milion njerëzor (shpesh është e vështirë të gjesh fjalë inkurajuese edhe për një njeri të vetëm). Por do i kujtoja se si i trajnojnë elefantët e cirkut, të cilët megjithëse peshojnë rreth 6 ton mund t’i tërheqësh me një litar të thjeshtë. E vërteta është se këta elefantë i lidhin që të vegjël me litar pas peme. Vitet e para ai përpiqet të largohet por litari nuk e le, deri sa vjen një moment kur bindet që “aq e ka takatin” dhe dorëzohet. Fatkeqësisht, edhe pasi është rritur fizikisht dhe mund ta këpusë lehtësisht litarin, ai nuk e provon më, duke mos e fituar asnjëherë lirinë. Prandaj nuk duhet hequr dorë nga liria, duke lejuar të shkuarën të na kufizojë të ardhmen.
Petrit Kuçana The Albanian