Dr.Arten Dyrmishi është nga të rinjtë e shumtë të sukesshëm në Turqi. Ai ndoqi ëndrrën e tij dhe sot ai ecëbn i sigurt në profesionin që i ka falur mund, djersë, sakrifica e daashuri. Mjek, stomatolog, Dyrmishi, edhe pse larg atdheut, pasi ka ikur në moshën 18 vjeçare nga Shqipëria, jeton me atdheun dhe vjen shpesh në Shqipëri, edhe pse ritmet e rritjes dhe zhvillimit janë të avashta, krahasuar me vendet fqinje, ai përsëri është optimist se diçka po ecën dhe se për diapsorën po mendohet seriozisht dhe kërkon nga qeveria shqiptare nevojën e krijimit të një kalendari veprimesh të diasporës, në lidhje me administratën shqiptare dhe të fillojnë të veprojnë për situatat me emergjence aktuale në atdhe. E rëndësishme është që ky shqiptar i suksesshëm mendon dhe punon për të kthyer buzëqeshjen dhe lumturinë e njerëzve.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Profesioni është një nga pjesët me kryesore të jetës së njeriut. Gjithmonë kam mbështetur idenë që individi, çfarëdo pune që bën në jetë, në radhë të parë duhet ta dashurojë dhe ta bëjë atë me pasion. Në rast se puna bëhet pjesë e frymëmarrjes së përditshme të personit, atëherë individit s’do t’i duhet të punojë asnjë ditë të jetës së tij.
Që në fëmijëri, në brendësi të shpirtit, më vlonte dëshira për t’u bërë një njeri, i cili do kishte mundësinë t’ju jepte sa më shume buzëqeshje dhe lumturi njerëzve, sidomos atyre që më rrethonin, pasi gjithmonë besoja në thënien “Buzëqeshja është pasqyra e shpirtit”.
Ëndrra ime për t’u bërë stomatolog ka ardhur që nga fëmijëria dhe e ndjej veten shumë me fat dhe njëkohësisht jam jashtëzakonisht shumë i lumtur që në ditët e sotme kam arritur të ushtroj profesionin, i cili dikur ishte ëndrra ime.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Kam pasur shumë momente të cilat kanë shënjuar udhëtimin tim personal, si në të mirë, po ashtu edhe në të keq, por mendoj që të dyja bëjnë pjesë në jetën e çdo njeriu.
Një nga momentet e mia më të rëndësishme është ai kur arrita të fitoj me bursë të plotë të drejtën për të kryer specializimin në degën e Kirurgjisë Orale në Stamboll. Me një dëshirë shumë të madhe u shpërngula nga qyteti i Ankarasë, ku kisha 5 vjet që studioja. Lashë pas shumë momente të bukura studentore dhe tashme, siç mund të them me plot gojë, për mua sapo kishte nisur “Lufta për Mbijetese”, pasi Stambolli është një qytet kozmopolit dhe shume i vështirë për të jetuar.
Për mua 3-4 vitet e para në Stamboll kanë qenë dhe do te jenë vitet me më shumë vlera në jetën time profesionale, për shkak se këto vite kam punuar 7 ditë në javë, nga pothuajse mesatarisht 20 orë në ditë, sepse gjate ditës studioja dhe çdo mbasdite, pas universitetit, punoja deri në 03:00 të mëngjesit, në një klinike private për të fituar të ardhura e për të jetuar.
Dikush mund ta mendojë si një tmerr i vërtetë, po, të them të drejtën, këto kanë qenë vitet më të bukura të jetës time, se falë këtij super sforcimi në jetën profesionale, arrita të përparoja shumë.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Pavarësisht që çdo individ mund të ketë çelësa të ndryshme drejt suksesit, unë mendoj që disa nga çelësat e përbashkët te gjithë personat e suksesshëm janë:
-Pasioni për profesionin që zotëron
-Puna e palodhshme drejt suksesit
-Sinqeriteti dhe serioziteti në punë
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Unë jam larguar nga familja që në moshën 14 vjeçare. Patjetër që kjo gjë më ka bërë të piqem para kohe.
Natyrisht që vazhdimisht e gjithmonë kam pasur mbështetjen e familjes që edhe pse ka të ardhura modeste. Gjatë gjithë kohës jam përballur me sfida, sepse kam qenë në një vend të huaj dhe në një moshë shumë të vogël.
Në një vend të mbipopulluar, si Stambolli, më është dashur të sakrifikoj shume nga jeta ime profesionale, për të arritur suksesin për të cilin ëndërroja, pothuajse çdo natë. Siç e përmenda dhe me lart, një periudhë prej 3-4 vitesh nga jeta ime, më është dashur të punoj 20-22 orë në ditë. Besoj se kjo ka qenë sfida ime.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Natyrisht që njeriu, herë pas here, reflekton duke e kthyer kokën mbrapa dhe bën një analizë të jetës së tij. Bilanci im profesional, si dhe familjar, rezulton pozitivisht në zgjidhjet që kam bërë deri tani në jetën time.
Në përgjithësi e ndjej veten shumë me fat, dhe kur me duhet të bëj një zgjedhje, pavarësisht rezultatit, gjithmonë shikoj anët pozitive.
Mbase dhe ky pikëvështrim pozitiv është ai që më bën të ndihem i realizuar, pavarësisht rezultatit e zgjidhjeve që kam bërë.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Jam i sigurt që çdo mjek stomatolog ka dëshirën e mirë të bëjë maksimumin për pacientët e tyre. Për mua një nga arritjet kryesore është mbarimi me sukses i specializimit të kirurgjisë.
Qenia i specializuar në këtë fushe, si dhe njohuritë e thella dhe eksperiencën që kam fituar, më ka bërë, në radhë të parë, të ndjehem mirë në vetvete, por sigurisht në të njëjtën kohe më ka rritur në maksimum vetëbesimin profesional.
Si rrjedhojë e kësaj kam pasur shansin dhe mundësinë të punoj në disa nga spitalet më prestigjioze në zonat më luksoze të Stambollit. Kjo më ka bërë të kem mundësinë të përdor teknologjinë më të re që ekziston, në lidhje me stomatologjinë.
Ndihem mirë që dhe pse në një moshë të re, kam fatin të punoj me pacientë VIP dhe me teknologjinë bashkëkohore, duke bërë maksimumin për të arritur të krijoj buzëqeshje sa më natyrale për pacientët e mi.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Fjala “Atdhe” më bën të përjetoj emocione shumë të veçanta dhe gjithashtu më bën të ndjehem krenar. Fakti që unë kam jetuar deri në moshën 18 vjeç në Shqipëri ma bën të veçantë lidhjen time me atdheun.
Aktualisht i përjetoj keq situatat aktuale me të cilat përballet Shqipëria në ditët e sotshme. Vij shpesh në Shqipëri dhe shoh që tendenca për më mirë ecën me ritme të avashta krahasuar me vendet fqinje.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Shqiptarët ndër shekuj me veprimet dhe arritjet e tyre kanë treguar se janë të paepur drejt suksesit dhe nuk tërhiqen mbrapsht pavarësisht çdo vështirësie që mund të hasin gjatë udhëtimit. Besoj se fakti që edhe unë kam gjak shqiptari ka qenë një nga virtytet e mia që më ka bërë të mos sprapsem gjatë udhëtimit tim drejt suksesit, pavarësisht vështirësive që kam hasur.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Fjala ose statusi “emigrant” është një status prej të cilit shumë shqiptarë në shumë vende të ndryshme të botës, kanë hasur vështirësi. Por, fatmirësisht, situata në shtetin turk dhe veçanërisht në Stamboll ka pasur ngjyrime më optimiste dhe marrëdhënie vëllazërore, midis shtetit tonë dhe turk.
Kjo ka bërë që personalisht mos të ndjej ndonjë pasojë ose vështirësi, në lidhje më këtë status, përkundrazi në ditët e para të emigracionit, për shkak se isha i huaj, gjithmonë më janë afruar për ndihmë.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Nevoja ka bërë që shumë shqiptarë të emigrojnë në vende të ndryshme të botës për një jetës dhe një shkollim sa më të mirë.
Një pjesë e madhe e këtyre shqiptarëve, me shumë punë dhe mundime kanë arritur të kënëë sukses në fushat e tyre në vendin ku jetojnë.
Këta individë, me po atë përkushtim që kanë pasur gjatë kësaj periudhe ta kthejnë vështrimin për të bashkëpunuar ndërmjet tyre për ta rimëkëmbur dhe lulëzuar atdheun tonë.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Bashkëpunimi dhe unifikimi i kërkesave të kohës kryesisht në nivelin arsimor dhe shëndetësor si dy shtyllat kryesore të jetës duhet të përmirësohet sa më shpejt.
Si rezident në një vend shumë afër Shqipërisë dhe me një zhvillim maksimal në fushën shëndetësore, siç ka Turqia shoh shpesh herë që shumë shtetas shqiptarë vijnë për t’u mjekuar në Turqi, për shkak se diagnoza që i është vendosur nuk ka mundësinë të trajtohet ne atdhe. Dhe ne si shqiptarë që jemi, bëjmë detyrën tonë drejt atdheut, duke i ndihmuar me mundësitë që kemi në dorë.
Shpresoj shumë që në një të ardhme të afërt dhe shqiptarët, si çdo popull tjetër, do kenë mundësinë të kurohen në vendin e tyre.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Mendoj që me mbajtjen e Samitit të Diasporës, qeveria shqiptare tregon se po punon seriozisht për përthithjen e elementeve të diasporës dhe kontributin që duhet të japim neve në zhvillimin e vendit.
Sjellja e përvojave të përparuara nga anëtarësia e diasporës, besoj se do t’i japë një shtysë ritmit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Pasi nuk kemi me kohë për të humbur.
Nga qeveria shqiptare mendoj se është nevoja e krijimit të një kalendari veprimesh të diasporës, në lidhje me administratën shqiptare dhe të fillojnë të veprojnë për situatat me emergjence aktuale në atdhe.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Planet e mia për të ardhmen janë të shumta, por disa nga më kryesoret janë që gjatë udhëtimit tim drejt suksesit, në vendin rezident, po planifikoj disa mundësi për të dhënë disa konferenca kolegeve të mi në Shqipëri, duke pasur mundësinë t’i kaloj të gjithë njohuritë e mia që janë akumuluar gjate këtyre viteve. Gjithashtu kam dëshirë për kolegët e mi nga Shqipëria që do kenë dëshirë, t’u krijoj mundësinë për të bërë stazh afatshkurtëra, në mënyrë që të rrisim cilësinë e dhënies së shërbimit stomatologjik në një mënyrë sa më cilësore dhe moderne. Populli ynë meriton më të mirën. Ne jemi ata që kemi mundësi që me punë ta realizojmë atë.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Në radhë të parë dua të falënderoj “The Albanian” për këtë punë fantastike që janë duke bërë. Kam dëshirë ta mbyll me një shprehje shumë me vlere e Nënë Terezës: “Unë vetëm nuk mund ta ndryshoj botën, por unë mund të hedh një gur në ujë, për të krijuar shumë valë”.
Ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë të kenë sa më shumë suksese dhe një jetë sa më të shëndetshme dhe të lumtur. Ju faleminderit!