Kampioni i Europës Izmir Smajlaj paralajmëron se në të ardhmen mund të garojë për një tjetër flamur. Kampioni i Europës dhe Ballkanit në disiplinën “Kërcim për së Gjati”,ka vendosur rekord kombëtar me kërcimin 8.08 metra.
Tashmë shkodrani po mendon një largim të mundshëm nga Shqipëria për shkak të kushteve dhe të mbështetjes që nuk po i jepet.
“Që të gjithë të duan kur shpallesh kampion Evrope, duan të jenë pjesë e suksesit tënd, por nga ana tjetër që të arrish këtë duhen shumë gjëra. Stërvitje, gjak dhe djersë dhe lekë. Të ofrojnë mbështetje, të thonë fjalën e mirë por nuk japin kokërr leku. Në këto kushte është shumë e vështirë të vazhdosh përpara për objektiva madhorë”, shprehet ai në intervistën për ‘konica.al” duke thumbuar federatën e atletikës.
Lidhur me ndonjë ofertë nga ndonjë shtet tjetër, Izmir Smajlaj shprehet:
Kam pasur disa oferta nga shtete të ndryshme, sidomos nga Kroacia, të cilët po tregohen goxha këmbëngulës. Por ende s’kam vendosur. Ende kam besim se ka njerëz që e duan sportin dhe do më plotësojnë kushtet që duhen për të arritur objektivat që kam. Do pres dhe disa kohë, nëse nuk më realizohen ato gjëra që kam kërkuar, do jem i detyruar të largohem.
Nuk mund të rrezikoj objektivat dhe karrierën time, kam investuar shumë për këto gjëra. Kjo është hera e parë që unë shprehem publikisht për këtë gjë, pasi po shoh një indiferencë të madhe. Shpresoj që të mos arrij në pikën që të largohem, por t’i sjell këtij vendi medalje botërore dhe olimpike”, ka thënë sportisti shkodran.






















