Teksa dikur jepeshin afate kohore që ky aplikim do të ndodhte këtë vit ose tjetrin, situata vazhdon të mbetët e njëjtë, për më tepër, aktualisht zyrtarët kompetentë nuk po e përmendin fare këtë çështje.
Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj i cili këtë detyrë e kishte edhe në vitin 2014-të, kishte paralajmëruar se Kosova po atë vit do të aplikojë, meqë siç kishte deklaruar ai, vendi kishte përmbushur kriteret politike dhe teknike.
Madje atëkohë kishte thënë se mos-anëtarësimi i Kosovës në KiE është shkelje e të drejtave të njeriut dhe është kundër parimeve për të cilat është themeluar kjo organizatë.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, tregoi për lajmi.net se kur Kosova do të bëhet pjesë e KiE-së.

“Nuk mund të jap afate kohore, mirëpo ajo çfarë mund të them është se Kosova është duke punuar për të aplikuar në atëherë kur të konsiderohet momenti i duhur për një anëtarësim të frytshëm”, sqaroi Murtezaj.
Ndër tjerash, zv/ministri theksoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës për Kosovën, është synim dhe hap logjik i radhës në kuadër të politikës për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kohë më parë zyrtarët qeveritarë patën deklaruar se shtetet e Quint-it kishin bërë kërkesë ndaj Qeverisë që të prisnin derisa të përfundojë Procesi i Stabilizim Aosciimi (MSA) dhe që pas asaj Kosova të aplikojë për në KE.
MSA hyri në funksion më 1 prill të këtij viti. Por që nga ajo kohë, ende nuk është aplikuar në KiE.
Për këtë, zv/ministri Murtezaj e bëri të qartë se aplikimi në Këshill të Evropës nuk është proces edhe aq i shpejtë sa mund të jetë menduar më herët.
“Nuk është gjëja më e mirë apo aspekti i aplikimit të shpejtë, mirëpo gjëja e duhur që do të bëhet është aplikimi në kohën e duhur pasi që të jenë bërë përgatitjet e duhura dhe pasi që është arritur një nivel i bashkëpunimit të nevojshëm me shtetet përkrahëse të Kosovës në mënyrë që aplikimi i saj në Këshillin e Evropës të dal suksesshëm”, vlerësoi ai.
Nga ana tjetër njohës të integrimeve evropiane, vonesën për aplikim në këtë organizatë e kishin konsideruar si një taktikë nga Qeveria, meqë sipas tyre, ata nuk janë të sigurt nëse e kanë përkrahjen për këtë.
“ E rëndësishme është që të ketë një siguri për përkrahje dhe më pas të aplikohet”, patën vlerësuar njohësit e këtyre çështjeve.
Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një unitet më të madh midis anëtarëve të tij.






















