Krimi në fshatin Çekin, babai i autorit: Nuk kishin konflikte
Xhelozia mendohet se i ka marrë jetën një gruaje, e cila është mbytur me duar në fyt nga i shoqi, teksa punonin në ullishtën që kishin krijuar pas kthimit nga Greqia. Krimi i rëndë brenda familjes ka ndodhur në fshatin Çekin të Gramshit, ku Agron Llapushi, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Greqia, ka vrarë bashkëshorten e tij 35-vjeçare, Alketa Llapushi. Menjëherë pas krimit, që ka ndodhur pa praninë e askujt, autori është dorëzuar në polici, duke deklaruar se e kishte vrarë gruan për xhelozi, megjithëse një motiv i tillë është hedhur poshtë si nga familja e tij, por edhe banorët e zonës.
Vrasja e gruas
Policia tha se krimi i rëndë është regjistruar rreth orës 15.00 të së mërkurës në fshatin Çekin, që banohet, pothuajse nga një fis i vetëm. Burri 39-vjeçar, Agron Llapushi, dyshohet se fillimisht ka goditur me një mjet pune gruan dhe më pas e ka mbytur me duar në fyt. Menjëherë pas krimit, pa i treguar askujt, duke e lënë gruan të vdekur në arë, është paraqitur në polici dhe ka treguar se çfarë kishte ndodhur, duke marrë përsipër krimin brenda familjes. Sipas policisë, ai ka shpjeguar se që në mëngjes kishte dalë me gruan për të punuar në ullishtën e re, të krijuar prej tyre. Më pas, duke punuar në tokë, ata kanë nisur të debatojnë për çështje xhelozie dhe në atë kohë, bashkëshorti mendohet se është acaruar, duke kryer krimin fatal. Të paktën ky është versioni paraprak i dhënë nga policia, pasi banorë dhe të afërm të familjes Llapushi nuk dinë të thonë asgjë për shkakun e këtij krimi të tmerrshëm. Janë dashur disa orë për ekspertizën e më pas transportimin e trupit të pajetë në shtëpinë bashkëshortore, ku më pas do të kryhen ritet e fundit. Çifti, i cili ka dy fëmijë të mitur, një djalë e një vajzë, konsiderohej pa probleme nga të afërmit e fqinjët.
Babai i autorit
Shtëpia e familjes Llapushi është hapur për mort nga të afërmit, të cilët shprehen të çuditur e të tmerruar për atë që ka ndodhur. Babai i autorit të krimit, Mersin Llapushi, shprehet se nuk kishte parë asnjë grindje dhe asnjë shenjë xhelozie nga djali i tij. “Ikën në punë, janë zënë atje. S’e di çfarë ka ndodhur. S’ka pasur motiv. Sherre kështu s’kam dëgjuar. Aq sa dini ju, aq di edhe unë. Ata nuk kanë pasur probleme që mund ti di edhe unë. Djali nuk kishte shumë që ishte kthyer. Ka tre muaj që erdhi gruaja, pasi i kishte mbaruar pasaporta. Kur të mbaronin fëmijët shkollën do iknin prapë. Kanë qenë vetëm atje e nuk ka ndërhyrë dot njëri, pasi nusja do kishte shpëtuar. Vetëm djali e di çfarë ka ndodhur. Nuk di ç’të bëj, nuk di ç’e dua jetën më me këtë që ndodhi. Të jetoj vetëm për fëmijët se duhen rritur…, por unë nuk dua më të jetoj pasi është e tmerrshme”, është shprehur Mersin Llapushi. Tashmë i mbetet policisë për të hetuar më tej mbi këtë krim të rëndë që ndodhi dje pasdite, ndërkohë që autori i dyshuar i saj, i cili është arrestuar për vrasje në familje, do të merret sërish në pyetje nga prokuroria për motivin e krimit. Pas masës së sigurisë, kjo çështje pritet t’i kalojë për kompetencë Prokurorisë për Krimet e Rënda.shqip














