Autoriteti i Mediave Audiovizive në vijim të komunikimeve në drejtim të zbatueshmërisë së ligjit në shlyerjen e detyrimeve financiare dhe respektimin e afateve ligjore të shlyerjes, në mbledhjen e bordit të datës 30 Mars 2016 miratoi heqjen e licencave/autorizimeve për pesë ofrues të shërbimit mediatik audioviziv dhe bëri të pavlefshëm licencën/autorizimin për tetë subjekte të tjera.
Autoriteti Mediave Audiovizve edhe në mbledhjet pasuese, do të vijojë me shqyrtimin dhe marrjen e masave për të gjithë OSHMA-të debitore, duke kërkuar rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për zbatueshmërinë e ligjit në drejtim të shlyerjeve të detyrimeve financiare brenda afateve ligjore të parashikuara.
AMA i ka hequr licencën televizionit satelitor “Alsat” si dhe 14 operatorëve kabllorë që ofrojnë shërbim mediatik audioviziv. Krahas tv “Alsat” që i hequr licenca, kabllorët të cilët kanë patur të njëjtin fat janë “Sky Digital”, “Veleçiku”, “Apollnet” dhe “Bajrami Net”.
Ndërsa për tetë subjektet e tjera, “Tv 11”, “Tv 2A”, “Tv 7”, “Cable Albania Kombi”, “Tv Kabllor Kombi”, “Cable Albania Shkodër”, “Tv Era” dhe “Tv Përmeti”, AMA ka vendosur pavlefshmërinë e licencës.
Masat e AMA-s vijnë si ndëshkim për shkeljen e afateve në shlyerjen e detyrimeve financiare dhe respektimin e afateve ligjore të shlyerjes. Gjithashtu AMA vendosi që mbledhjen e ardhshme të kalojë në sitë të gjithë operatorët kabllorë, për shlyerjen e detyrimeve ligjore.
AMA ka kërkuar rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për zbatueshmërinë e ligjit në drejtim të shlyerjeve të detyrimeve financiare brenda afateve ligjore të parashikuara.















