Tashmë jemi në dimër dhe vendi ynë është shumë i përshtatshëm edhe për turizmin dimëror ose “Turizmin e Bardhë” sikundër quhet. Turizmi i bardhë zhvillohet në male dhe Shqipëria është shumë e pasur me to.
Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror. Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peisazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore. Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale janë:
Lugina e Valbonës, pranë qytetit të Bajram Currit, është një destinacion shumë i vizituar. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Të bësh një udhëtim në dimër në luginën e Valbonës, është një mrekulli shpirtërore përsa u përket emocioneve që të ofrojnë peisazhet e saja. Në mbrëmjet e bujtinës, mitet e zonës do t’i kesh këmbëkryq pranë të zotit të shtëpisë. Ato janë të bukura dhe mbresëlënëse.
Parku Kombëtar i Thethit gjendet në Alpet Shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga Shkodra. Një monument natyror vërtetë interesant është ujëvara e Grunasit. Ujërat e saj zbresin nga një lartësi prej 30 metër, në zemrën e Alpeve Shqiptare. Thethi ka pamjen e një pellgu 800 metra mbi nivelin e detit. Ai është i vendosur midis një kurore majash të thepisura, si, Radohima, Maja e Arapit, Maja e Alisë, që spikatin për bukuritë e rralla në të gjithe Alpet. Thethi shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos ngjyrave. Mjaft tërheqëse janë burimet e ujërave të Okolit. Këtu gjendet edhe “kulla e ngujimit”, element ky epik i jetesës shqiptare ku gjatë periudhës së gjakmarrjes strehohej gjakësi. Sot objekt i trashëgimisë kulturore shumë i vizituar nga turistët
Dajti është një tjetër destinacion për turizmin e bardhë. Është shumë pranë Tiranës dhe mjaft i vizitueshëm në stinën e dimrit. Ka një alternativë komode për të mbërritur në Dajt, ajo me teleferik, por dhe alternativa rrugore që është dhe më e bukura, ku udhëtimi alternohet edhe me pamjet e bukura që të afron natyra
Dardha, është një fshat i thellë në zonën e Korçës, që në një ditë normale nuk ka më shumë se 40 banorë, por në ditë festash dhe pushimesh sezonale fshati mbushet nga vizitorët. Dardha është një fshat malor midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore, në një lartësi 1 344 m. Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Sportet dimërore, sidomos skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre. Ka një pistë skish që ka mbetur akoma faza amatore dhe nuk është investuar për ta bërë atraktive për turistin e apasionuar pas skive.
Tomorri është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë,egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij. Aty mbretëronte Dodona Pellazgjike ose Dodona “Dimër Keqe”. Ka zona të mbuluara me borë të përjetshme si dhe shumë burime ujore disa edhe të çuditshëm si ai i kuçedrës. Gojëdhëna thotë se atë e komandon një kuçedër që e lëshon dhe e pret ujin kur do ajo. Dhe vërtet uji në këtë burim rrjedh me ndërprerje. Mund të jesh duke pirë ujë në të dhe befas ai ndërpritet. Gjeologët e shpjegojnë si një fenomen gjeologjik që ndodh në shtresat tektonike të nëntomorrit, por ka dhe një gojëdhënë që flet se ai mal qëndron sipër diçkaje, pra poshtë tij fshihet diçka. Në stinën e dimrit zbardhet i gjithi dhe vizitorët nuk i mungojnë.
Brezovica është një fshat piktoresk malor që ndodhet në shpatet e famshme të Brezovicës, një vendpushim dhe pistë skish në 2,500 metra mbi nivelin e detit . Fshati turistik është i pozicionuar dhe i ekspozuar ndaj një peisazhi shumë të vecantë. Malet mbreslënëse të Sharrit dhe lumi i cili rrethon të gjithë hapësirën. Brezovica ofron një pistë skish të mirë për një sport profesionist. Pa dyshim se do të bëhet një destinacion madhor në një të ardhme, por edhe sot paraqet një vend të shkëlqyer për të pasur aventura , që janë të lira dhe zbavitëse.
Llogaraja ndodhet në jug-lindje të Vlorës, në kufirin midis Adriatikut dhe detit Jon. Parku shkon nga lartësia 470 m në lartësinë 2018 m. Pranë Qafës së Llogarasë ka shumë pemë dhe forma interesante kurorë si rezultat i baticave dhe erës. Një shembull mahnitës është “Pisha Flamur”, një monument i rrallë i natyrës me vlera shkencore dhe turistike. Ky park ofron një mot dhe peizazh tërheqës dhe fusha karakteristike. Bimësia e saj përbëhet kryesisht nga halorë si pisha e zezë. Parku i Llogarasë ka një rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.