Nga Petrit Kuçana
Ka një perceptim interesant të mërgimtarëve shqiptarë për termin më të përhapur sot në Shqipëri, koncesion. Natyrisht tejet negativ dhe që nuk mund të shmanget “anësia” apo “përkatësia” pasi ka të bëjë drejtpërdrejt me xhepat e tyre.
Mbase që në krye të herës kur u “shpik” koncesioni si term e më pas si praktikë tepër normale, madje edhe si përcaktim determinant i të ashtuquajturave “reformave qeveritare”, gjëja e parë që u ka shkua ndërmend mërgimtarëve ka qenë Aeroporti i Rinasit. Një trashëgimi e dhimbshme që nga koha e Nanos dhe që ndonjëri më kot mundohet të rifreskojë kujtesën për numrin e viteve të mbetura.
Është ky perceptim që vjen këto ditë sidomos kur shtetet fqinje kanë filluar “bombardimin” e tregut britanik me reklama dhe oferta të parezistueshme për të shijuar stinën mesdhetare. E nga Shqipëria amë nuk ka ndonjë “ndryshim” qëndrimi prej negociatave.
Pra lajmi më i mirë është se po negociohet, e ndonjëherë ndonjë ministër shpreh optimizmin se Aeroporti i Kukësit do të vihet në funksion shumë shpejt.
Deri këtu shkon e gjithë zallamahia e deklarimeve dhe deri më sot emigrantët si jetimët e mëdhenj vetëm presin, se të zgjedhurit do të bëjnë ndonjë gjysmë hapi, e ata “të shkathëtit” të stazhinuar me deklarime të tilla, presin biletat për “kryeqytetet verore” të shqiptarëve, Podgorica apo Shkupi.
Fatkeqësisht Prishtina akoma më keq vazhdon të jetë një ndër kryeqytetet e vetme ku Londra nuk ka lidhje direkte dhe as që e vë kush “ujin në zjarr” për t’i shpëtuar këtij nami që prej vitesh kryeqyteti i shqiptarëve të Kosovës mbetet “i padëshiruar” për Londrën apo anasjelltas. E ç rëndësi ka… Shkupi mbetet thjesht një stacion i tërthportë, por që fqinjët tanë zemërgjerë gjatë kohës së verës hapin edhe aeroportin e Ohrit. Ky po që është lajm i mirë edhe për shqiptarët.
Institucionet e shteti shqiptar lehtësisht kalojnë fajin tek njëri-tjetri dhe në fund fatura i kalon ish-kryeministrit Nano dhe ja ku u bë kjo punë. E gjitha ëmbëlsohet më ndonjë deklaratë e tipit po negociohet, me autoritetet konçesionare gjermane, e deri tek “kush guxon te kruhet me gjermanin”…
Në fund si çdo verë shpallen shifrat rekord të turizmit, dhe ja ku u bë puna e qeverisë. Madje kurrsesi nuk duhet harruar edhe panairet e turizmit që bëhen në disa vende të botës, duke përfshirë edhe Londrën, ku fatkeqësisht më shumë konsiderohet si “udhëtim turistik” i Ministres apo stafeve të përzgjedhura për këtë qëllim, sesa sukses. E nëse fqinjët numërojnë miliona britanikë në vendin e tyre, ne shqiptarët mjaftohem me numrin në rritje, (ku mërgimtarët me pasaporta britanike numërohen si të huaj) dhe padyshim ky konsidertohet sukses.
A mund të perceptohet që një turist normal britanik “duhet” ose do të vizitojë Shqipërinë kur vetëm bileta Londër-Tiranë është sa Londër-New York, apo është e barabartë me një udhëtim një javor turistik në Turqi me të gjitha të përfshira?
Turizmi nis nga Rinasi, e nëse qeveritarët do e kenë seriozisht, atëherë ky është momenti i fundit për këtë vit. Përndryshe shihemi vitin e ardhshëm…















