Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka zbutur qëndrimin e qeverisë së tij ndaj trojkës pas përballjes së parë të ashpër me zyrtarët e lartë të eurozonës. Në një deklaratë dërguar agjensive të lajmeve, kreu i Syrizas premton se Athina do të paguajë borxhet dhe shumë shpejt do të arrijë marrëveshje me kreditorët. Ai wshtw shprehur i bindur se do të gjehet gjuha e përbashkët në të mirë të Greqisë dhe Eurozonës.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, po përpiqet të riparojë marrëdhëniet me kreditorët e Greqisë para se të bëjë një tjetër lëvizje diplomatike për të kërkuar mbështetje për programin e tij ekonomik.
“Greqia do të paguajë borxhet që i ka Bankës Qëndrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndëkombëtar, dhe shumë shpejt do të arrijë një marrëveshje me vendet e eurozonës që financuan Greqinë,” tha Tsipras përmes një deklarate dërguar agjensisë së lajmeve Bloomberg.
“Bisedimet me partnerët tanë europianë sapo kanë filluar, tha ai. “Pavarësisht faktit se ka përplasje qëndrimesh, unë jam plotësisht i sigurtë se ne shumë shpejt do t’ja dalim të arrijmë një marrëveshje të kënaqshme dypalëshe, si për Greqinë ashtu edhe për Europën e tërë”.
Kreu i Eurozonës, Jeroen Dijsselbloem, mirëpriti komentet e fundit të Tsipras.
“Gjithçka varet nga qeveria greke për të vendosur pozicionin e saj dhe mënyrën se si do të vijojë të ecë në të ardhmen,” tha ai duke paralajmëruar se vendime të tjera do të merren në mbledhjen e përbashkët të eurogrupit në javët e ardhshme. Përpjekja diplomatike e kryeminsitri të ri të Greqisë do të vijojë javën tjetër kur ai të udhëtojë në Qipro për të takuar presidentin qipriot Nicos Anastasiades, dhe më pas do të ketë takime me kryeministrin Italian Mateo Renzi dhe presidentin francez, Fransua Holond.
Deri tani nuk ka asnjë takim të planifikuar mes Tsipras dhe kancelares gjermane Merkel, vendi i së cilës është kontribuesi më i madh i borxhit grek. Por të dy liderët pritet të takohen në samitin e 12 shkurtit, që do të mbahet në Bruksel. Një ditë më parë kancelarja Merkel paralajmëroi edhe njëherë se Greqisë nuk do t’i falet asnjë cent. Greqia duhet të paguajë një borxh prej 315 miliardë euro që përbëjnë rreth 175% të prodhimit të brendshëm bruto.















