Daut Dauti
Patatja ka qenë ushqimi kryesor i irlandezëve në shek. XIX dhe më herët. Në vitin 1845 kur bujqit irlandezë filluan t’a nxirrnin nga toka bereqetin e patates së atij viti, vërejtën një çudi që do të shndërrohej në tragjedi. Brenda dy tri ditësh patatet merrnin ngjyrën e zezë dhe kalbeshin. Ky fenomen i paparë dhe i pakuptueshëm vazhdoi deri më 1851. Si rezultat, nga uria vdiqën 1 milion irlandezë kurse 1. 5 milionë u detyruan të shpërngulën, kryesisht në Amerikë. Kjo periudhë tragjike njihet me emrin Zija e Patates (Patato Famine). Kjo është një temë e pashterrshme për të cilën janë shkruar qindra libra dhe janë gjiruar shumë filma artistikë e dokumentarë. Në mendjen e irlandezit kjo ngjarje është vulosur si tragjedi e madhe.
Irlanda atëherë ishte nën sundimin britanik dhe Londra nuk ndërmori ndonjë masë serioze për t’u ballafaquar me këtë gjendje të vështirë. Dhe kështu, brenda 6 viteve popullsia e Irlandës u zvoglua për 2. 5 milionë. Nuk janë të paktë ata që edhe sot mendojnë se ky ka qenë një hap i qëllimshëm i qeverisë britanike për ta zvogëluar numrin e irlandezëve. Madje, disa nacionalistë irlandezë edhe sot theksojnë se ky veprim ka qenë gjenocid.
Irlanda kishte nevojë për ndihmë, por pak kush e ndihmoi. Megjithatë një ndihmë e konsiderueshme erdhi nga ku nuk e priste askush. Në vitin 1847 një mjek irlandez në ekipin e sulltan Abdyl Megjidit, vendosi që ta informonte sulltanin për gjendjen e vështirë në Irlandë dhe ta pyeste nëse mund të ofronte ndonjë ndihmë. Me këtë rast sulltani 24 vjeçar ndau 10 000 funta ndihmë që atëherë ishin para të mëdha. Si shtesë, ai vendosi që në Irlandë t’i dërgonte 3 anije të mëdha (në disa shënime thuhet 5) të mbushura me ushqime, drithëra dhe ilaçe.
Ambasadori britanik në Stamboll, Henry Wellesley, dëgjoi për këtë vendim dhe e takoi sulltanin që ta falënderonte. Pasi që mbretëresha britanike, Victoria, kishte dhënë vetëm 2000 funta, ambasadori kërkoi nga sulltani që ta zbriste shumën e premtuar në mënyrë që të mos ishte më e madhe se e mbretëreshës. Pra, të mos koritej mbretëresha. Sulltani, për shkak të aleancës me britanikët, pranoi dhe e zbriti shumën në 1000 funta.
Kur sulltani i dërgoi anijet në Irlandë, autoritetet britanike nuk lejuan shkarkimin në portet kryesore (Cork dhe Dublin). Prandaj, anijet u detyruan, kinse po largoheshin, të shkonin natën në një port më pak të rëndësishëm që quhej Drogheda. Popullsia e këtij qyteti dhe e rrethit, pasi që ishin të uritur, morën vesh dhe dolën që t’i shkarkojnë anijet dhe i morën paratë e sulltanit.
Ky ka qenë një moment të cilin irlandezët nuk do ta harrojnë kurrë. Brenda pak viteve, në këtë qytet filluan ndërtesat ta mbanin yllin dhe hënën, simbolin otoman. Komuna dhe klubi futbollistik i këtij qyteti, Drogheda United, e morën këtë simbol për amblemë të cilën e kanë edhe sot. Madje, simpatizuesit e flaktë të këtij ekipi, mjaft agresivë, edhe sot e quajnë veten ‘The Turks’ (turqit).
Gazetat e kohës, si në Irlandë ashtu edhe në Angli, shkruan për këtë rast të rëndësishëm humanitar duke e çmuar lart veprimin e sulltanit. Gjashtë vite më vonë (1853) shkrimtari i njohur William J. O’Neill Daunt, shkroi në detaje se si kishte ndodhur ky rast që nga iniciativa e mjekut të sulltanit e deri te ardhja e ndihmave në Drogheda.
Madje, revista religjioze angleze ‘Church and State Gazette’ shkroi se Abdyl Megjidi kishte treguar simpati për të krishterët dhe artikulli përfundonte duke bërë më dije se një veprim i këtillë duhej të kultivohej për shkak se kontribuon në drejtim të afrimit të myslimanëve me të krishterët.
Por, më 1853 kur filloi Lufta e Krimesë, gjendja në shtyp ndryshoi. U shumuan artikujt që nuk e përkrahnin veprimin e qeverisë britanike e cila e dërgoi ushtrinë e saj në luftë për t’iu ndihmuar otomanëve kundër rusëve. ‘Pse duhet t’iu ndihmojmë myslimanëve kundër të krishterëve?’ – ishin shumica e pyetjeve në gazeta. Mirëpo, një letër e botuar e futbollistit legjendar të atëhershëm, i quajtur Jack Robinson of Wolwerhampton, krijoi ndikim të madh në opinion. Në mes tjerash, Robinson shkroi:
‘Si duket është një dëshirë e madhe të theksohet se sulltanit, për shkak se nuk është i krishterë, ne nuk duhet t’i ndihmojmë. U bëjë lutje disa njerëzve që ta kenë parasyshë se si u soll sulltani në mënyrë të krishterë kur uria vdekjeprurëse e kishte mbuluar Irlandën’.
Sidoqoftë, kjo ndihmë ka ndikuar shumë në afrimin e Irlandës me Turqinë. Në vitin 1985, William Frank, kryetari i këtij qyteti, në hyrjen e hotelit ku kishin fjetur detarët otomanë, vendosi një pllakë përkujtimore duke e madhëruar veprimin bëmirës të sulltanit. Mirënjohja e irlandezëve vazhdon edhe sot. Sa herë që presidentët dhe kryeministrat e Irlandës e vizitojnë Turqinë, falënderohen për ndihmën që kishte dhënë sulltani. Irlanda sot përkrahë hyrjen e Turqisë në Unionin Evropian dhe në të gjitha forumet politike e diplomatike ndërkombëtare pothuaj vazhdimisht voton në favor të këtij vendi,
‘Miqësia jonë është shumë e fuqishme’ – thuhet në web faqen e ambasadës së Irlandës në Ankara dhe bënë me dije se 120 000 irlandezë çdo vit e vizitojnë Turqinë. Web faqet e këtyre dy qeverive thonë se mijëra irlandezë që jetojnë në Turqi dhe turq që jetojnë në Irlandë, ndjehen si në shtëpi të tyre.





















