BEOGRAD – Tensionet e krijuara në takimin mes dy krerëve të qeverive, larguan vëmendjen e marrëveshjeve të arritur mes dy shteteve, Serbisë dhe Shqipërisë.
Dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë në parandalimin, hetimin dhe luftën kundër shkeljeve doganore.
Gjithashtu janë nënshkruar edhe dy marrëveshjeve të tjera, një që shqiptarët dhe serbët të udhëtojnë me karta identiteti dhe një për bashkëpunimin rinor.
Marrëveshjet u nënshkruan nga ministri serb i Financave, Dusan Vujoviç dhe nga pala shqiptare, me firmën e ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Tani e tutje, sipas marrëveshjes qytetarët shqiptarë dhe ata serbë, mund të udhëtojnë në dy vendet përkatëse, vetëm përmes kartës së identitetit. Ndërkohë mediet lokale shkruajnë se u ra dakord për nënshkrimin e një marrëveshje, për shkëmbimin dhe bashkëpunimin mes të rinjve nga të dy vendet.
Kryeministri serb, Vuçiç u shpreh se duhet të krijohen lehtësira për pakicat shqiptare në Serbi dhe atyre serbe në Shqipëri. “Të dy vendet duhet bashkërisht të paraqiten para Bashkimit Evropian, me objekte të rëndësishme infrastrukturore”, deklaroi Vuçiç duke theksuar rëndësinë në marrëveshjet për infrastrukturën.
Kreu i qeverisë shqiptare u shoqërua në vizitën e tij nga ministri Ahmetaj dhe ai i Jashtëm, Ditmir Bushati. Kjo është vizita e parë zyrtare në Beograd pas 68 vjetësh, kur ish-Presidenti shqiptar, Enver Hoxha vizitoi ish-Jugosllavinë.















