Federatës Shqiptare të Futbollit i janë bllokuar llogaritë bankare. Institucioni më i lartë i futbollit në vend ka degraduar në pikën që, edhe me paratë që UEFA akordon për futbollin shqiptar, të zhytet në afera të dyshimta, derisa ka hasur vështirësi edhe për të kaluar pagat e punonjësve të vet për muajt e fundit.
BLLOKIMI I LLOGARIVE
Dje në zyrat e FSHF-së janë paraqitur dy persona, që pas interesimit të gazetës, rezultuan se ishin përfaqësues të një zyre përmbarimore. Më pas mësuam se javën e shkuar, FSHF-së i janë bllokuar llogaritë bankare, për shkak të disa transaksioneve të dyshimta të parave, duke bërë shkelje të rënda njëra pas tjetrës. E gjitha kjo mund të përfundojë edhe në prokurori, por mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë organet ligjzbatuese gjatë ditëve në vijim.
Shkak për bllokimin e llogarive të FSHF-së është bërë fakti që paratë e së drejtës televizive dhe paratë që UEFA ka akorduar për klubin Tirana nga pjesëmarrja në Kupat e Europës një vit më parë, nuk janë derdhur në llogaritë bankare të 25 herë kampionëve të Shqipërisë, por në llogari të tjera. Në mes është futur përmbarimi dhe më pas skandali ka marrë përmasa të frikshme.
PARATË E UEFA-s
Klubit të Tiranës i takonte të merrte rreth 1 milion euro shpërblim, pasi kaloi dy ture në Champions dhe arriti deri në “play off” të Ligës së Europës dy vite më parë. Shpërblimet për arritje të tilla UEFA i akordon në vitin pasardhës dhe i derdh në llogaritë e federatave përkatëse (në këtë rast FSHF-së), të cilat më pas ua kalojnë klubeve. Ndërkaq, klubit i takonin edhe afro 65 mijë euro nga e drejta televizive.