Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional, Klajdi Myzaferaj, bën një pasqyrë të punës që po bëhet për formimin profesional të qytetarëve, që kërkojnë të përfshihen në tregun e punës. Ai tregon profilet, ku hasen më shumë kërkesa dhe mënyrën se si orientohet qendra për të ofruar shërbimet dhe njohuritë e nevojshme, që i çojnë punëkërkuesit drejt profilit që u përshtatet. Kohët e fundit, tregu po orientohet drejt profesioneve të tilla, si hidraulik, saldator e elektricist, duke lënë në hije ato që dikur dominonin në sektorin e ndërtimit.
Z. Myzaferaj, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ju zbatoni edhe politikat tuaja për formimin profesional të atyre që kërkojnë të punësohen. Çfarë po bëhet aktualisht, duke u nisur edhe nga fakti që përmendëm më sipër?
Është vërtet një fakt që duket paksa paradoksal. Ndërkohë, ne po e shtrijmë aktivitetin tonë, duke ofruar mundësi formimi profesional për qytetarët që kërkojnë të punësohen. Kurset që ofrohen nga Qendra e Formimit Profesional, janë përshtatur me tregun e punës. Këtu dua të theksoj se, ka një handikap për disa kërkesa për kurse, siç janë ato të parukerisë ose të estetikës, për të cilat tregu nuk ofron mundësi punësimi, por që mund të bëhen efektive përmes vetëpunësimit. Realisht, këtu duhet të bëhet një ndërhyrje që të mos orientohet kërkesa drejt këtyre profileve, por ndaj atyre kurseve për të cilat ka nevojë tregu i punës, për ato vende të cilat janë shpallur tek zyra e Punës. Por, kjo ka të bëjë edhe me kulturën e qytetarëve, të cilët shpesh kërkojnë që ta kenë atë si një “zanat” të ofruar privatisht dhe jo për të siguruar një vend punësimi në vazhdim.
Në çfarë profilesh keni më shumë kërkesa?
Ndërkohë, kemi kërkesa të konsiderueshme, në profile të tilla si kuzhina, për shkak se Vlora është një qytet turistik dhe ka të zhvilluar sektorin, ose rrjetin e restoranteve dhe të kulinarisë. Për këtë arsye, në kemi rritur kapacitetet e kurseve duke i shtrirë ato në kohë, 12 orë në ditë. Por, kemi kërkesa edhe për profesionet hidraulik, elektricist, që funksionojnë në tregun e punës. Së fundi, kemi hapur edhe kursin e saldimit, që është një profesion që po zhvillohet shumë për shkak edhe të projektit të gazsjellësit TAP, që pritet të kërkojë mjaft forca pune të kualifikuara. Ky kurs është çelur prej një muaji, por kërkesat për të kanë ardhur në rritje. Është, sigurisht një tregues pozitiv, që reflekton edhe tendencat e kërkesave në tregun e punës. Duhet të sqaroj se, për shkak të dimensioneve të zhvillimit, punësimi deri vonë është orientuar sipas kërkesave të sektorit të ndërtimit, pra, murator, hidraulik, elektrik etj.
Pra, qëllimi ynë është të ofrojmë ato kurse për profesione që ka nevojë tregu i punës. Pra, aktualisht po ngulojmë shumë te turizmi, te kuzhinieri, kamerieri e kuzhina. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të hapim edhe kursin e recepsionistit të hotelit, duke ofruar mundësinë që kursantët të zhvillojnë praktikën pranë subjekteve ose operatorëve turistikë. Këtu është favorizues edhe sistemi “Dual”, një mundësi që ka krijuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, që kursantët të zhvillojnë praktikën pranë bizneseve apo subjekteve private, të cilat kanë bazën reale për ta ofruar këtë mundësi.
Sa është numri i atyre që janë formuar profesionalisht te ju, pra që kanë ndjekur kurset e formimit profesional pranë qendrës që drejtoni?
Gjatë këtyre dy vjetëve janë formuar te ne, rreth 1800 persona, në kurse profesionale, apo edhe në mësimin e gjuhëve të huaja, të kompjuterit etj.
















