Nga Claudio Magris
Tragjedia bëhet gjithnjë e më e madhe – dhe do të vazhdojë të zmadhohet – dhe çdo herë thuhet, për të qenë në rregull me veten, se u arrit kulmi.
Dhe se është pranë momenti kur do të kthehet faqja, sepse është e patolerueshme që të vazhdojë ky tmerr në rritje.
Por ja që sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë, nëse nuk do të ndodhë një ndryshim i paimagjinueshëm dhe rrënjësor në këtë situatë dhe në politikën botërore. Mëshira, indinjata dhe tronditja e botës – e të gjithëve ne – do të ndizen, të sinqerta dhe të kota, përballë çdo episodi të ri barbarizmi.
Por ndoshta gjithnjë e më pak, sepse mësohesh me të gjitha dhe pikërisht përsëritja e tragjedive të tmerrshme dhe kriminale do t’i bëjë më të lodhura dhe më pak reaguese ndërgjegjet.
Çfarë të bëhet, sikurse thotë titulli i një pamfleti të famshëm politik? Problemi është tragjik, sepse ndaj emigrantëve pa emër dhe pa të ardhme kundërvihen frikërat e shënjuara idiote dhe regresive të atyre që i druhen çdo të huaji që nuk është i aftë të mallkojë në dialektin e tij dhe të ëndërrojë një botë endogamike dhe të mbushur me njerëz të të njëjtit gjak.
Pritjes së detyrueshme njerëzore të vëllezërve të shumtë të përndjekur dhe të pafat i kundërvihet dhe për fat të keq do të vazhdojë t’i kundërvihet një vështirësi apo pamundësi objektive, numri i këtyre vëllezërve të pafat, i cili një ditë mund të bëhet materialisht i pamundur për t’u pritur.
Një spital që ka 100 shtretër mund të mbajë në raste emergjence 150 të sëmurë, por jo 10 mijë dhe kush do të fuste nëpër korsitë e tij 10 mijë njerëz do të krijonte, në mënyrë të papërgjegjshme, premisat për vështirësi dhe konflikte të reja. Këto tragjedi të mallkuara janë prova e një tjetër realiteti të trishtë: inekzistencës së Europës. Problemi i të gjorëve të Tokës që mbërrijnë në brigjet tona është europian, jo italian; përfshin Europën, dhe jo vetëm Italinë.
Fakti që Bashkimi Europian nuk po interesohet është tmerrësisht autoshkatërrues; është njëlloj sikur qeveria italiane ta hiqte qafe problemin duke thënë se është një çështje e rajonit të Siçilisë, duke qenë se lundruesit, të gjallë apo të vdekur, nuk mbërrijnë në Romë apo në Torino.
Nëse Bashkimi Europian nuk interesohet, dhe të kundërtën nuk mund ta dëshmojë një ndërhyrje e vonuar, do të thotë se Bashkimi Europian nuk ekziston. Çfarë të bëjmë? Sigurisht, mund të merren disa masa të vogla. Për shembull, do të ishte me vend që tregtarët e skllevërve, që shpesh dhe qëllimisht janë fajtorë për krime, t’i nënshtroheshin, duke parë emergjencën e kësaj lufte të vërtetë për Italinë, t’i nënshtroheshin kodit ushtarak.
Nuk do të ishte keq nëse tregtarët e skllevërve dhe të vdekjes t’i bënin punët e tyre duke rrezikuar vdekjen, ashtu sikurse skllevërit e tyre.
Të bën përshtypje të lexosh se disa nga këta vrasës arrestohen, por shpejt lirohen dhe i kthehen trafikut të tyre të ndyrë dhe fitimprurës. Çfarë duhet të bëhet? Me sa duket, askush nuk e di.
Corriere della Sera