Vazhdon të jetë kritike situata në tragetin italian “Norman Atlantic” i cili është i përfshirë nga flakët. Trageti aktualisht ka hyrë në ujërat territoriale shqiptare.
Në lidhje me situatën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka komunikuar me homologun e tij italian.
“Jemi vazhdimisht në kontakt me palët italiane e greke e po bëhet maksimumi në kushtet e një moti të tërbuar që përbën një pengesë ekstreme!”, shkruan Rama në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano i ka telefonuar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin ka biseduar lidhur me situatën e krijuar në tragetin grek “Norman Atlantic”. Të dy ministrat kanë shkëmbyer informacione për ecurinë e deritanishme të operacionit të shpëtimit.
Ministri Tahiri e informoi Alfanon se e gjithë infrastruktura pritëse në të gjitha portet e Shqipërisë është në gadishmëri maksimale për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet nga ankorimi i tragetit në këto porte dhe emergjencës shëndetësore për pasagjerët.
Sipas Alfanos 138 pasagjerë janë evakuuar tashmë dhe ndërkohë vijon operacioni për shpëtimin e çdo pasagjeri.
Të dy ministrat po mbajnë kontakt të vazhdueshëm personal për përballimin e situatës emergjentë.
















