Ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka bërë pyetje të drejtpërdrejtë Kryeministrit Edi Rama sot për arrestimin e Emiljano Shullazit.
“Z.Kryeministër, nuk të beson njeri kur thua se s’kam lidhje me Shullazin, – tha Topalli nga foltorja e Kuvendit, duke rrëzuar deklaratat e Ramës lidhur me arrestimin. – Nuk të beson njeri, në një kohë kur ai u vinte gjoba biznesmenëvë që kanë ardhur në zyrën tënde apo kur kërkon të fyesh opozitën. Unë s’jam për të bërë moralisten.
Por, nëse ish-kryeministri i vendit nuk do të ishte në konferencë shtypi menjëherë pasi ka marrë vesh kërcënimin e frikshëm të bërë nga Shullazi, a do të ishte përsëri ai në kërcënim e sipër?! Nëse z.Berisha nuk do të bënte betejën kundër krimit, a do të ishin deputetët e zgjedhur nga dora jote, me pranga?! “
Po ashtu, deputetja ngriti pyetjen tjetër: Pse nuk jepni pamje filmike të arrestimit të Shullazit?
RAMA: ME SEBEPE JAVE PAS JAVE PO MERRNI PENG REFORMEN NE DREJTESI
Pas Topallit, Rama është ngritur sërish për të replikuar duke e ironizuar dhe duke i konsideruar të gjitha këto akuza si sebepe për të mbajtur peng reformën në drejtësi. “Nuk e kuptoj pse reforma në drejtësi po merret peng me sebepe javë pas jave. Njëherë del një sebep, pastaj një sebep tjetër – tha ai, – dhe reforma në drejtësi shtyhet pa asnjë arsye objektive. Puna e bërë për reformën ka prodhuar një dokument që është bërë gati për t’u votuar. Mjafton që palët të ulen në tavolinë dhe ta votojnë. Pse ju nuk jeni në tavolinë?
Jeni kaq të shqetësuar vërtetë për krimin, korrupsionin?!
Nëse jeni kaq të shqetësuar gjëja e parë për t’u bërë është reforma në drejtësi. Nga ana tjetër unë dëgjova Jozefinë kur fole për gjobat. Ky personazh u bë i famshëm në kohën e Kryeministrit tënd dhe gjobat që thuhen e dalin i përkasin kohës së Kryeministrit tënd në të shumtën e herës së tyre. Nuk i bëni dot shqiptarët për budallenj duke u mundur t’i shisni për të vërtetë një halucinacion sepse po e përsëris: Ndalimin e bëri policia. Me kërkesë të Policisë për arrestim, Prokuroria dha autorizim pas orës 24:00 të natës,” nënvizoi Rama.
Sa për pyetjet e filmimit të arrestimit të Shullazit, kreu i qeverisë theksoi:
“Jozefinë, pyetja jote në fakt ndihmon shumë për të na kuptuar njerëzit. Policia nuk filmon njerëzit që shoqëron. Policia filmon njerëzit që arreston dhe arrestimi bëhet me autorizim të Prokurorisë. Policia e ka shoqëruar dhe ka pritur deri pas mesnate autorizimin nga Prokurori. Deri në këtë periudhë kohe, ai ka qenë i ndaluar.”















