Hapi siparin dje edicioni i 12 i Tirana Film Festival. 5464 filma do të shfaqen gjatë një jave nga 107 vende pjesëmarrëse.
Gati 37 vjet nga premiera e tij e parë, “Tomka dhe shokët e tij”, një nga filmat më përfaqësues të kinemasë shqiptare para viteve ’90-të, është shfaqur dje i restauruar në natën e hapjes së edicionit të 12 të Tirana Film Festival. Prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1977, me skenar të Nasho Jorgaqit dhe regji të Xhanfize Kekos, ky film ka bërë dhjetëra breza të rriten me imazhin e personazhit kryesor, Tomkës. Djaloshit që i pëlqente të luante me top, por fushën e topit ia kanë marrë nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është silokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës. Nën muzikën e Aleksandër Lalos dhe dirigjimin e Ferdinant Dedës, filmi dukej aq domethënës edhe sot. Regjisorja e ndjerë, Xhanfize Keko, asnjëherë nuk harronte ta veçonte “Tomkën” si një nga filmat e saj më të dashur. Në këtë rishfaqje të filmit për publikun, i biri i saj, Ilir Keko, kishte përgatitur dhe një libër kushtuar këtij prodhimi kinematografik “Tomka and his friends”, një film artistik i realizuar më 1977 në Shqipërinë komuniste. Libri sillte një tablo të kohës dhe situatave në të cilën është realizuar ky film dhe kujtime të regjisores Keko, mbi situatat shpesh dhe të vështira me të cilat i duhej të përballej. Restaurimi duket se i ka dhënë një dritë tjetër filmit, duke i dhënë Tomkës një mundësi komunikimi jo vetëm në festivale shqiptare… Shfaqja e këtij filmi në ditën e parë të TIF, ishte dhe një homazh për Xhanfize Kekon, e cila i ka dhënë aq shumë kinemasë shqiptare. Të pranishëm dje kanë qenë dhe fëmijët e dikurshëm të filmit, që sot janë mbi të 30-at. Filmi u restaurua në Amerikë pas një iniciative nga Arkivi i Filmit. Festivali Ndërkombëtar i Filmit me metrazh të shkurtër pritet të kthehet në një arenë diskutimi mbi atë çfarë ndodh me kinemanë sot, por dhe të japë një kolazh të filmave më të mirë prodhuar këto vite nga vende të ndryshme pjesëmarrëse. Gjatë ditëve të festivalit në programin special pritet të shfaqet dhe filmi i përfolur i regjisorit nga Kosova, Luan Kryeziu “Heroi”, dokumentari i regjisorit Walter Veltroni kushtuar politikanit i Enrico Berlinguer si dhe filmi i regjisorit Edoardo Winspeare. Filmat do të gjykohen nga katër juri, për një seri çmimesh që jep festivali.
Gjatë ditëve të festivalit do të zhvillohet dhe workshop mbi zhvillimin e skenarit. Eksperti i një prej organizatave më të rëndësishme në Europë për trajtimin, zhvillimin dhe organizimin e rrjeteve të producentëve EAVE, Katriel Shory, do të jetë lideri i workshop-it, i njohur për prodhimin e një numri të madh dokumentarësh, serialesh televizive dramatike dhe bashkëprodhimesh, të cilat kanë marrë çmime prestigjioze izraelite dhe ndërkombëtare. Katriel Shory, gjatë tri ditëve të workshop-it (2, 3 dhe 4 nëntor) do t’u bëjë një analizë të detajuar 12 skenarëve të përzgjedhur dhe do të konsultojë autorët e rinj për fazat në vazhdim të projektit. 5464 filma do të shfaqen gjatë një jave në ekranin e TIFF nga 107 vende.


















