Deputeti Tom Doshi ka treguar të vërtetën, sipas tij, për atentatin ndaj tij. Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, Doshi ka deklaruar se e ka bindur kryeministrin Edi Rama për të vërtetën e ngjarjes, por sipas tij, ai ishte nën presionin e madh të Ilir Metës. Ndërsa, ka shtuar se ata ishin miqtë e tij dhe s’ka arsye për të sajuar.
“Ngjarja është e vërtetë, jo e sajuar. Bindja e Ramës që ngjarja është e vërtetë. Meta presion të madh ndaj Ramës. Didi ka shkruar nëntë faqe dëshmi të Bamit. Nuk kam pse sajoj, kisha marrëdhënie shumë të mira. Ramën, Llallën dhe Metën i kisha miq. Kolegët e mi kanë frikë të më telefonojnë. Edhe dëshmitari është manipuluar, është bërë një person nën presion psikologjik. Dëshmitarin e kërcënuan me vrasjen e fëmijëve. Bamit i thanë: Po fole, të vrasim fëmijët. Po u mbyll kjo çështje, nuk ka më institucione. Hetimet, turp i madh i Prokurorisë”, ka deklaruar Doshi.
Avokati “sulmon” Prokurorinë: Kërkesa për arrest, guxim i madh, pa prova mund të arrestohet çdo deputet, nuk ka vlerë
Avokati i deputetit Tom Doshi e ka konsideruar të pa vlerë kërkesën e Prokurorisë për arrest, pasi sipas tij, pa prova mund të arrestohet çdo deputet.
“Pa prova mund të arrestohet çdo deputet. Akuzat të padrejta nga Prokuroria. Kërkesa pa prova nuk ka vlerë. Akuzat, të pabazuara në prova dhe ligj. Kërkesa për arrestim, e pashoqëruar me prova. Prokuroria nuk e njoftoi Doshin për ndjekje penale. Kërkesa e Prokurorisë, arbitrare. Kërkesa për arrestim, e paligjshme, guxim i madh”, është shprehur avokati i Doshit.
Mbledhja “vendimtare” për Doshin, Avokati: Prokuroria ka dhunuar garancitë kushtetuese të deputetit, kërkesa për arrest me sfond politik
Avokati i deputetit Tom Doshi ka deklaruar se Prokuroria ka shkelur të drejtat kushtetuese dhe proceduriale të deputetit. Sipas avokatit, Prokuroria duhet të kishte njoftuar personin për hetim. Ndërsa, e ka konsideruar me sfond politik kërkesën për arrestimin e tij.
“Të mos i mohojmë të drejtat e klientit. Po shkelen të drejtat kushtetuese të deputetit. Mbrojtja jonë në Këshill e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë e drejta parlamentare, e dyta kërkesa për arrestim. Doshit i janë shkelur dhe mohuar të drejtat proceduriale dhe kushtetuese. Personi nën hetim duhet të njoftohet për hetimin. Nuk është zbatuar parimi i barazisë para ligjit. Kërkesa për arrest, me sfond politik. Prokuroria ka dhunuar garancitë kushtetuese të deputetit”, ka deklaruar avokati.
Ballafaqimi në Mbledhjen e Këshillit, Doshi: Tërhiqni kërkesën për arrest, ose do flas, Prokurori: Mos nxirrni sekrete, po shkelni ligjin
Sapo ka nisur mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku deputeti Tom Doshi është ballafaquar me prokurorin për kërkesën e arrestimit. Deputeti Doshi ka kërcënuar prokurori që të tërheqë kërkesën për arrest, ose në të kundërt do të flasë. Ndërsa, prokurori nga ana e tij, ka theksuar se është e ndaluar që të publikohen provat.
“Nuk ka më sekret hetimor. U kërkua arrest, nuk ka më sekret. Të tërhiqet kërkesa për arrest, ose publikim. Provat janë manipuluar. Ju e mbyllët hetimin, kur kërkuat arrest. Do t’iu tregoj shqiptarëve për ballafaqimin. Akuzat ndaj meje nuk ekzistojnë. Tërhiqni kërkesën për arrestim, ose do flas
Ndërsa, prokurori ka këmbëngulur në mos publikimin e provave.
” Ndalohet publikimi i provave. Duhet autorizim për publikimin. Mos nxirrni sekrete, po shkelni ligjin”, është shprehur prokurori.
I jepet fund debatit, Këshilli vendos: Mbledhja me dyer të hapura. Priten faktet rrëqethëse të Doshit
Këshilli i Mandateve i ka dhënë fund debatit mes opozitës dhe mazhorancës, duke vendosur zhvillimin e mbledhjes me dyer të hapura.
Në këtë mënyrë, mbledhja, e cila pritet të nisë nga momenti në moment, do të zhvillohet në praninë e mediave. Deputeti Tom Doshi, i cili ka mbërritur me dy avokatë, do të bëjë publike fakte, që sipas tij, do t’i trondisin të gjithë.
“Plasin” debatet në prag të mbledhjes së Këshillit, PD dhe Doshi kërkojnë mbledhje të hapur, Frroku konfirmon mos pjesëmarrjen
Partia Demokratike dhe deputeti Tom Doshi kanë kërkuar që mbledhja e Këshillit të Mandateve, e cila pritet të nisë tani, të zhvillohet me dyer të hapura. Ndërsa, ata janë përplasur me mazhorancën, e cila nuk e ka konfirmuar kërkesën e tyre.
Ndërkohë, ata vazhdojnë debatet mes tyre nëse mbledhja do të zhvillohet e hapur ose jo, ku do të vendoset për kërkesën e arrestimit të dy deputetëve Mark Frroku dhe Tom Doshi. Deputeti Frroku ka deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm në mbledhje. Kurse, Doshi ka mbërritur në sallën e mbledhjes së bashku me avokatët e tij.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve, Tom Doshi mbërrin i pari në Kryesinë e Kuvendit, priten fakte rrëqethëse
Këshilli i Mandateve pritet të mblidhet sërish për të diskutuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve, Mark Frroku dhe Tom Doshi.
Ndërkohë, deputeti Tom Doshi ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të mblidhet Këshilli për të shqyrtuar kërkesën e arrestit.
Ndërsa, Doshi ka lajmëruar se në mbledhjen e sotme do të paraqesë fakte rrëqethëse mbi të vërtetën. Në mbledhje pritet të mbërrijë edhe deputeti Mark Frroku.
















